Flet Arbnor Morina: Tregon pse Arbëria po ka rezultate kaq të mira dhe cilat janë synimet

Askush nuk kishte besuar që skuadra e inkuadruar në elitën e futbollit kosovar, Arbëria pas vetëm 7 ndeshjeve të zhvilluara do të cilësohet si njëra nga rivalet më të mëdha në kampionat.

Ardhja nga një fshat i vogël, fondi jo shumë i pasur i skuadrës e aq më keq zhvillimi i ndeshjeve si vendas në një terren neutral (Obiliq), bënte të mendohet se Arbëria do të jetë një aventurier në elitën e futbollit, por ja që po del krejt e kundërta.

Padyshim mëritë e kësaj është puna e madh e drejtuesve të skuadrës që po krijojnë kushte të mira si dhe e strategut Arbnor Morina i cili po arrin të nxjerrë maksimumin nga kjo skuadër që objektiv të vetëm e ka mbijetesën në shoqërinë elitë, në një konkurrencë ku disa skuadra kanë sjellë përforcime me shumë marramendëse.Image

Arbëria në xhiron e fundit mposhti Drenicën në Skenderaj, aty ku shumë skuadra të mëdha janë thyer dhe kanë dal me kokë ulur, megjithatë, Morina në një bisedë për “Zeri.info”, vazhdon ta mbajë skuadrën me këmbë në tokë, derisa gjithë suksesin ua atribuon lojtarëve.

“Djemtë po punojnë dhe po luajnë mjaft mirë”, ka thënë fillimisht Morina duke shtuar:

“Rezultatet janë meritë e angazhimit dhe koncentrimit në punë dhe ndeshje nga të gjithë lojtarët. Ajo që po na penalizon është paksa konkurrenca më e vogël brenda kuadrit por gjithsesi të gjithë lojtarët të cilët po inkuadrohen po e japin maksimumin për ekip”, ka thënë Morina.

Arbëria e Dobrajës aktualisht është në pozitën e tretë me 11 pikë të tubuara, ku para vetës ka Ballkanin dhe Prishtinën, ndërsa në xhiron e ardhshme viziton Podujevë ku luan me Llapin.

“Ne koncentrohemi ndeshje pas ndeshje dhe mundohemi të paraqitemi mirë dhe të inkasojmë sa me shumë pika dhe të stabilizohemi në Superligë”, përfundoi Arbnor Morina. Image