Flasin dy zyrtarët e DFB-së: Njerëzve të zgjedhur të FFK-së t’u jepet kohë për të punuar

Zëvendëspresidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Rainer Koch, dhe ish-nënkryetari në këtë federatë, Rainer Milkoreit në një intervistë  për Sportin Total në KTV kanë thënë se njerëzve të zgjedhur në Federatën e Futbollit të Kosovës duhet t’u jepet kohë për të punuar.

Të dy kanë folur për bashkëpunimin mes dy federatave, zhvillimin e Kosovës si dhe kanë dhënë këshilla për FFK-në pas telasheve që pati brenda.

Kjo është intervista e plotë:

Ju jeni këtu për të marrë pjesë në shpalljen e futbollistit më të mirë të vitit nga FFK-ja, por kjo është vetëm pjesë e bashkëpunimit të gjatë të të dyja federatave.

Koch: Ndihem mirë që sot jam këtu mes jush dhe kjo është një shenjë mirënjohjeje e futbollit gjerman, për futbollin e Kosovës për punën e bërë. Futbolli i Kosovës tani është një pjesë e rëndësishme e Evropës. Jeni në Play-Off të Ligës së Kombeve për Evropian dhe mjafton vetëm edhe pak që kombëtarja e Kosovës të bëhet pjesë e vendeve të mëdha dhe unë jam i lumtur që jam këtu si pjesë e kryesisë së Federatës gjermane për të parë edhe nga afër, punën e madhe që e ka bërë miku im, Rainer Milkoreit.

 Z.Milkoreit herën e fundit kur ishit në Prishtinë u nënshkrua një tjetër memorandum bashkëpunimi midis dy federatave. Për çka bëhet fjalë kësaj radhe?

Milkoreit: Ky ka qenë vetëm një nivel tjetër i bashkëpunimit. Ne kemi pasur një qëllim, që më parë ka qenë, që të ndihmojmë Federatën e Futbollit, ta bëjmë gati për FIFA por edhe ta bëjmë gati për nga brenda dhe ta përkrahim. Kjo nënkupton ngritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve, grupmoshave të reja dhe këto kanë qenë kontaktet e para, në të cilat futbolli gjerman ka qenë i pranishëm në Kosovë.

 Dhe deri ku kemi arritur?

Koch: Nuk është vetëm të kesh 11 lojtarë në fushë, që të luajnë në kombëtare. Duhet të krijohet infrastrukturë e madhe, duhet të ndihmoni ekipet që të dalin në arenën ndërkombëtare, sepse pas shumë vjetëve, edhe ekipet e Kosovës luajnë në ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës, janë edhe kombëtaret e të rinjve dhe femrave. Ngritja e kapaciteteve të gjyqtarëve e trajnerëve, zyrat e federatës duhet të rriten për punë profesionale dhe duke parë këto, është diçka e mirë që edhe ne jemi pjesë e kësaj, sa për të dhënë ndihmë të vogël, në sukseset e Kosovës.

A i keni përcjellë ndeshjet e Kosovës, në Ligën e Kombeve dhe në kualifikime, kur Kosova ishte shumë afër Evropianit?

Koch: Po i kam përcjellë. Unë kam qenë në ndeshjen e parë të Kosovës në Shkodër, kundër Kroacisë, sepse isha delegat i UEFA-s për atë ndeshje. Në Gjermani ka lojtarë nga Kosova, si Milot Rashica te Werder Bremeni që njihet shumë edhe në Gjermani. Por, të shohim se çfarë do të bëjë Kosova në Play-Off të Ligës së Kombeve, i mjaftojnë dy fitore kundër Maqedonisë dhe më pas ndaj Gjeorgjisë apo Bjellorusisë, dhe në rast se edhe Rumania e fiton Play-Offin, do të thotë që Kosova të luajë kundër Gjermanisë. Ndeshja do të luhet në vendlindjen time, në Munchen, dhe atëherë do të isha krenar për atë që keni arritur.

 Mirëpo, që nga ndeshja në Shkodër kundër Kroacisë dhe tani pas tre vjetëve, ekipi dallon shumë?

Milkoreit: I kam përcjellë disa ndeshje të Kosovës në Azerbajxhan dhe tani në Plzen kundër Çekisë dhe më duhet të them se është një përparim gjigant. Para më shumë se tre vjetëve, Kosova as që luante në gara ndërkombëtare dhe tani është afër Evropianit dhe do të luajë me ekipe të forta të Evropës dhe për këtë duhet të falënderoni ata që kanë punuar rreth kësaj.

Koch: Ajo çka më pëlqen, është se si një vend i tërë, është i lidhur me kombëtaren e vendit. Sekretari i përgjithshëm i Federatës suaj, më ka njoftuar se si kanë qenë mbi 100 mijë kërkesa për bileta dhe kjo është e pabesueshme për një vend të vogël.

Milkoreit: Para disa vjetësh patëm provuar ta organizojmë një ndeshje miqësore bamirësie ndërmjet Gjermanisë e Kosovës, por nuk ndodhi për disa arsye. Por, tani mund ta kemi një ndeshje garuese.

 Kjo do të ishte shumë e mundshme, por a pritet të kemi së shpejti një miqësore ndërmjet Gjermanisë e Kosovës?

Koch: Kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare të UEFA-së dhe FIFA-së, nuk jep shumë mundësi për miqësore dhe kërkojmë mirëkuptimin tuaj, pasi këtu vendos edhe trajneri i kombëtares sonë dhe të jemi realë, tani kjo më nuk është shumë e mundur. Por, më shumë pres, që shorti të na bashkojë në ndonjë garë, në kualifikime apo tani në Evropian.

 Si erdhi deri te kontakti ndërmjet dy federatave?

Milkoreit: Ka filluar para 8 vjetëve. Sapo isha zgjedhur zëvendës-president i Federatës, dhe pasi në Gjermani jetojnë shumë kosovarë, dy zotërinj m’u afruan nga familja Shoshi dhe më janë lutur që ta ndihmojë Federata gjermane futbollin e Kosovës. Dhe Federata këtë e ka parë si një mundësi të mirë, pa ngurrim ka ofruar ndihmën për pranim në UEFA dhe FIFA. Por, që të gjithë presidentët e Federatës gjermane, kanë qenë të gatshëm të ndihmojnë dhe janë marrë me çështjen e Kosovës.

 Z.Milkoreit, ju keni ardhur shpesh në Kosovë, jeni madje të shpallur edhe Ambasador nderi i vendit. Çfarë është punuar në Kosovë me ndihmën tuaj?

Milkoreit: Kur kemi filluar para më shumë se tetë vjetëve, ishte sikur të nisej prej zeros. Kemi nisur të krijojmë strukturat e futbollit kosovar. Kemi ndihmuar federatën në seminarët me trajnerë, që ka qenë shumë e rëndësishme për të shkolluar të rinjtë. Kështu kemi formuar kuadro me licenca C dhe B dhe më pas, edhe me licenca A. Kemi organizuar ndeshje krahasuese, ndërmjet futbollistëve të rinj të Kosovës dhe disa krahinave në Gjermani. Dhe këtu e kemi sjellë Michael Nessin, që është zgjedhur nga federata për ta përkrahur e mbështetur procesin e zhvillimit. Për shumë vjet, ai parë ka punuar në vende të ndryshme të botës dhe këtë përvojë po e sjell tani edhe në Kosovë.

Javëve të fundit, po besoj, i keni parë zhvillimet në Federatën e Futbollit të Kosovës, kur një zyrtar nga administrata, e ka quajtur jolegjitim mandatin e kryetarit Agim Ademi, dhe po provon që përmes një kuvendi të jashtëzakonshëm, të mbajë zgjedhje të reja në FFK.

Koch: Të them diçka rreth kësaj. Jemi të këshilluar mirë, që jashtë federatës së Gjermanisë, në federatat e tjera nuk duhet të përzihemi. Është e qartë që kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kryesinë aktuale të FFK-së, por nuk është detyrë e jona, për të komentuar këtë situatë.

Milkoreit: Ne apelojmë të gjithë ata që merren me futboll. Të punohet seriozisht dhe të mos i hedhim pengesa në rrugë njëri-tjetrit, duhet të përqendrohemi vetëm te zhvillimi.

Dua t’ju pyes, se si ndodh në Gjermani, bie fjala, rreth presidentit të fundit në Gjermani që është dorëhequr. Si ka ndodhur kjo atje dhe si duhet të jetë në Kosovë?

Koch: Në Gjermani, kjo është e rregulluar me Statutin e Federatës. Zotëri Grindl është tërhequr në prill, derisa mandati i tij ishte deri në shtator të këtij vitit, deri në Mbledhjen e Përgjithshme, kur duhet të mbaheshin zgjedhjet e reja. Në momentin e dorëheqjes, është e përcaktuar me rregullore, që federatën e udhëheqin dy zëvendësit e tij. Njëri është presidenti i ligës dhe tjetri jam unë, zëvendëspresidenti i parë. Këtë e kemi bërë, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Dhe kur zgjidhet një president, e ka mandatin e plotë?

Milkoreit: Po pra, mandat të plotë, në një Kuvend të rregullt zgjedhor. Ne kemi pasur më parë Kuvende të jashtëzakonshme, por jo kësaj radhe. Kjo duhet të bëhet përmes rregulloreve dhe Statutit të secilës federatë.

 Edhe UEFA përmes zyrtarëve të saj, njëri prej tyre ishte i pranishëm në Kuvendin që u zgjodh Agim Ademi kryetar, i ka dhënë mbështetje mandatit të plotë të tij.

Koch: Ndër rregullat themelore të diplomacisë, jo vetëm në politikë, por edhe në sport, është që në këso situata, të mos përzihemi. Ne jemi miq me njerëzit e futbollit në Kosovë dhe me udhëheqësit e tyre, por kush do të jetë në krye të federatës, këtë duhet ta vendosë vetë vendi juaj.

 A keni ndonjë këshillë për FFK-në?

Milkoreit: Duhet t’u përmbaheni rregullave, por edhe t’u japim rast njerëzve të zgjedhur që ta bëjnë punën e tyre, që kjo punë po vlerësohet se është e mirë.

 Nga Gjermania kërkohet gjithnjë që ta fitojë Evropianin apo Botërorin, por në pjesëmarrjet e fundit, Gjermania nuk ishte ajo që pritej?

Milkoreit: Botërorin e fundit e kemi fituar më duket, më 2014. Ah jo jo.

Koch: Jam tash e 20 vjet në udhëheqje të futbollit gjerman dhe gjatë kësaj kohe, kemi pasur ngritje e ulje. Evropiani i Portugalisë më 2004, ishte një katastrofë. Botërori i Rusisë më 2018 ka qenë po ashtu tmerr. Në Botërorin në Japoni, më 2002, arritëm deri në finale, më 2006 në Gjermani, fituam medaljen e bronztë dhe më 2014 u shpallëm kampion bote. Asnjë kombëtare në botë nuk mund ta ketë formën e njëjtë. Së fundi, jemi paraqitur keq në dy turnetë e mëdhenj, por për vitin e ardhshëm jam shumë optimist se do të kemi paraqitje më të mirë. Jemi në një grup shumë të vështirë. Ndeshjen e parë e luajmë me Francën, më pas ndaj Portugalisë dhe ndeshjen e tretë shpresoj ndaj Kosovës, por duhet ta marrim Evropianin ndeshje pas ndeshje dhe të shpresojmë që në fund, të shkojmë në Londër për ndeshjen vendimtare.

Milkoreit: Jam i bindur se me këtë ekip të ri që e kemi, ne kemi mundësi që të matemi me këdo në Evropë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të flasim për titull, por duhet të rivalizojmë të gjithë. Gjermania me talentin që e ka, është në gjendje ta bëjë këtë.