Fituan kundët Chelseat, por Arteta reagon ashpër ndaj mediave

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, i ka akuzuar mediat se po përpiqen t’i ngarkojnë atij gjëra të cilat nuk i kishte thënë kurrë, në një reagim plot mllef pas fitores së skuadrës së tij 1:0 kundër Chelseat.

Para ndeshjes, Arteta kishte thënë se jo të gjithë lojtarët e tij e kishin arritur potencialin e tyre të plotë dhe mediat sugjeruan pastaj se spanjolli i kishte vënë në pikëpyetje përpjekjet e tyre për ekipin, transmeton Gazeta Express.

Emile Smith Rowe e shfrytëzoi një gabim të Jorginhos për ta shënuar atë që doli të ishte goli i triumfit të Arsenalit, i cili ia mban gjallë shpresat topçinjve për një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

“Nuk pranoj që dikush të shpif gjëra për mua që unë kurrë s’i kam thënë”, tha Arteta për BBC.

“Kur bëhet fjalë për lojtarët e mi, atyre do t’iu ngecë sharra në gozhdë. Ata mund të përpiqen ta japin mendimin e tyre nga jashtë, në rregull është, por të tentojnë ta thyejnë atë qe e kemi brenda nuk është e mundur”, shtoi ai.