Fitorja në derbin e Anamoravës, pritja në qytetin e Gjilanit dhe objektivat që ka me Dritën – Akis Vavalis në një intervistë ndryshe

Kanë kaluar pesë muaj kur Akis Vavalis ka marrë drejtimin e skuadrës gjilanase Drita.

Trajneri grek erdhi në krye të klubit gjilanas më saktësisht më 24 prill të këtij viti, derisa me vete ka edhe ndihmësin Nikolaos Karampetakis dhe trajnerin atletik Christos Vorgiatzidis.

Kjo është hera e parë që një trajner grek drejton një skuadër kosovare dhe Vavalis synon që te Drita të lë gjurmë duke fituar trofe.

Sezonin e kaluar ai drejtori Dritën në vetëm gjashtë ndeshje ku mori tre fitore, një barazim e dy disfata, që nuk arriti të shpallet kampion i Kosovës përkundër se ishte në garë deri në xhiron e parafundit.

Megjithatë në sezonin e ri Vavalis synon që të fitojë trofe me klubin bardhekaltër nga Gjilani.

Në shtatë ndeshje të zhvilluara këtë edicion, Vavalis në krye të Dritës ka katër fitore dhe tre barazime.

Në një intervistë për Telegrafin ai flet për fitoren në derbi ndaj Gjilanit, e cila është e para për të në derbin e Anamoravës.

38-vjeçari flet edhe për objektivat e Dritës këtë edicion që janë titulli dhe Kupa e Kosovës, mikpritjen që i është bërë në Gjilan si dhe talentet e shumtë të Dritës.

Pas një starti jo të mirë, tani keni marrë tre fitore radhazi. Sa jeni i kënaqur?

Vavalis: Jam i kënaqur sigurisht sepse fituam tri ndeshje në shtatë ditë. I rikthyem pikët e humbura në renditje. Dhe kjo na duhej për arsye psikologjike pas tri barazimeve.

Derbi i parë i qytetit që e fituat, si u ndiet pas triumfit 2-0 ditën ndaj Gjilanit?

Vavalis: Ishte një derbi i vërtetë. Atmosferë e shkëlqyer, tifozë të mrekullueshëm. Është nga ato ndeshjet që dëshiron ta luash sërish.

Vitin e kaluar humbët titullin në xhirot e fundit, çka duhet të presin tifozët nga Drita e këtij sezoni?

Vavalis: Këtë vit kemi ndryshuar shumë lojtarë. Më e rëndësishmja ishte të bëheshim ekip homogjen dhe kështu filluam të bëheshim. Tifozët duhet të presin një ekip që do të luftojë në çdo ndeshje. Do të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje dhe do të përpiqemi të luftojmë për titullin kampion dhe sigurisht për Kupën e Kosovës.

Ndeshja e radhës ndaj Malishevës, çka pret?

Vavalis: Edhe një lojë tjetër e vështirë. Malisheva është një ekip shumë i fortë. Luajnë në mënyrë sulmuese dhe shënojnë shumë gola. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jam i sigurt se nëse jemi agresivë dhe jemi në të njëjtin nivel si ndeshjet e fundit, do të fitojmë.

Jeni që disa muaj në qytetin e Gjilanit, si ka qenë pritja për ty dhe stafin tuaj?

Vavalis: Jam shumë i lumtur që jam në Gjilan. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm në klub. Nga presidentë, drejtorë, lojtarë e gjithë stafin, por edhe të tjerë jashtë Dritës. Njerëzit në qytet janë shumë të sjellshëm, duan t’ju ndihmojnë. Ndihem si të jem në vendin tim.

Besoj që është hera e parë për ju që vini në Kosovë, sa keni pasur kohë të dilni dhe të vizitoni vendet tjera dhe çka ju pëlqen më shumë në Gjilan/Kosovë?

Vavalis: Fatkeqësisht nuk kam pasur shumë kohë të vizitoj vende të tjera përveç Prishtinës dy herë, por shpresoj të qëndroj gjatë në Kosovë që të mund ta bëj. Në Gjilan përgjithësisht nuk është që më pëlqen më shumë ndonjë vend apo diçka e tillë, por mikpritja e njerëzve këtu.

Te Drita ka disa lojtarë të talentuar që i keni dhënë edhe hapësira, kush nga futbollistët e rinj të Dritës mund të bëj hap të madh të luaj në ndonjë kampionat evropian në të ardhmen?

Vavalis: Mendoj se Drita ka për momentin katër djem të rinj me të ardhme të shkëlqyer. Së pari Erion Ramushi dhe Meris Maliqi. Ramushi ishte më i riu që zgjodha dhe e futa në ekipin e parë. Sigurisht edhe Ylli Ibrahimi e Dienit Isufi që janë më të gatshëm, filluan hap pas hapi të marrin hapësirë dhe sigurisht nëse vazhdojnë të punojnë shumë do të marrin shumë më tepër.

Më të mirët e xhiros së dytë në Superligën e Kosovës

Prishtina në epërsi ndaj Fushë Kosovës pas 45 minutave të para