Fitore ndaj kampiones Olimpike dhe medalje ari për Distria Krasniqin

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e xhudos, që po mbahet në Budapest të Hungarisë, në gjendje pandemie.

Xhudistja jonë mposhti në finale kampionen Olimpike Rio 2016, argjentinasen, Paula Pareto, kategoria -48 kilogramë.

Krasniqi fitoi edhe 1 mijë pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Distria deri në finale arriti pasi në raundin e dytë mposhti hungarezen Eva Csernoviczki, ndërsa në çerekfinale mundi francezen, Shirine Boukli. Viktimë e saj në gjysmëfinale ishte izraelitja, Shira Rishiny.

Flaka Loxha dhe Shigeki Nakamura u ndalën në raundin e dytë. Loxha (-57 kg) shënoi një fitore për t’u mposhtur më pas nga favoritja me përvojë të madhe Jessica Klimkeit e Kanadasë.

Nakamura (-66 kg) u ndalë nga kampioni i Evropës 208, slloveni Adrian Gomboc.

Ndërkohë, Nora Gjakova (-57 kg), u mposht në raundin e dytë nga francezja, Helene Receveaux.

Nesër garojnë Akil Gjakova (-73 kg) dhe Laura Fazliu (-63 kg), ndërsa Loriana Kuka (-78 kg), garon të dielën.