Finalistët e Kupës bombardohen me akuza ndërmjet vete

Finalja e Kupës së Kosovës ndërmjet Llapit dhe Besës ka përfunduar të mërkurën e kaluar me fitoren e pejanëve, të cilët duke e marrë trofeun lanë llapjanët në Podujevë, kurse e dërguan FC Prishtinën në Evropë.

Në fakt, “lufta” ndërmjet llapjanëve e pejanëve ka përfunduar vetëm në fushën e blertë, por jashtë saj nuk ka të ndalur e madje pothuajse e ka kaluar çdo kufi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Akuzat publike ndërmjet të dyja palëve kanë qenë aq të rënda këto ditë, saqë e kanë denoncuar publikisht njëra-tjetrën për kurdisje të rezultateve, vepër kjo që është e dënueshme me para dhe me burg, siç parashohin Ligji dhe Kodit Penal i Kosovës e lëre më me rregulloret e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

llapi besa

Llapi “tregon” kurdisjet e Besës

Investitori dhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, qysh më moti e ka drejtuar gishtin kah Besa, të cilën plot herë e ka akuzuar për kurdisje, derisa publikisht i bënte thirrje Prokurorisë së Shtetit që të merret me veprat penale të pejanëve.

Por, Batatina tashmë ka shkuar edhe më larg, duke publikuar edhe emra e mbiemra të pejanëve, të cilët ai i quan “shitblerës” të ndeshjeve të futbollit. I akuzuari i Batatinës është nënkryetar i Besës e për më tepër edhe nënkryetar i Komunës së Pejës, raporton “Zëri”.

“Shkumbin Gashi, ‘tyxhari’ i kurdisjeve, je një buburrec për mua. Ti nuk ki vlera të asnjë fushe të merresh me mua. E ke prish kampionatin më seriozë në vitet e fundit pas pranimit në arenën ndërkombëtare të futbollit kosovar. T’u ka ‘kall bishti’ ty sepse ndaj teje duhet të ndërmarrë masa Prokuroria sepse t’i i ke urdhëruar lojtarët me ia lëshua lojën Trepçës”, ka theksuar Batatina.

refer genc nuza llapi

Besa “zbulon” kurdisjen e Llapit

Besa nuk ka qëndruar “duarkryq” karshi akuzave të vazhdueshme që po ia bëjnë llapjanët për kurdisje, duke ia ftuar edhe Prokurorinë për të dalë në Pejë.

Pejanët u janë kundërpërgjigjur Tahir Batatinës dhe klubit llapjanë, të cilët i kanë akuzuar për kurdisjen e një loje me Hajvalinë.

“Tahir, për ju kemi edhe shumë tema tjera të nxehta të cilat mund t’i hapim sepse nuk jeni ju bash ashtu qysh t’i po krekosesh. Tahir, t’i je borxhli i keq – Hajvalisë ende nuk ia kishte shlyer obligimin për lojën që e ke truku. E di ti ku, kur, si dhe me kë”, thuhet në reagimin e Besës, e cila madje tërthorazi bën të ditur se Llapi i kishte dërguar “misionarë” për t’ia lëshuar apo shitur finalen e Kupës përmes kryetarit, Nexhat Dumnica, shkruan “Zëri”.

“Tahir, pyete Nexhatin, se afër e ke dhe ai të tregon se sa i pathyeshëm është Shkumbini (Gashi) karshi presioneve”, ka potencuar Besa.

llapi besa

FFK-së si zakonisht – i mungojnë faktet, rastin e konsideron “polemikë”!

Federata e Futbollit të Kosovës po i përcjell akuzat e ashpra publike për kurdisje ndërmjet llapjanëve dhe pejanëve. Edhe pse diskursi ndërmjet Llapit dhe Besës ka kaluar çdo limit, duke ngjallur shqetësime dhe dyshime të forta për kurdisje, FFK-ja akuzat ndërmjet tyre i konsideron veç “polemika”. Por, Federata i ka thënë “Zërit” se nëse gjen fakte, menjëherë do të ndërhyjë.

llapi besa osmani