Pas dy muajsh pushim dhe ndeshjeve të klubeve tona në garat ndërkombëtare, Superliga e Kosovës kthehet në aksion me edicionin 2023/24, një edicion pak më i zbehtë në start se sa i kaluari.
Favorit kryesor llogaritet sërish Ballkani, që do të tentojë të mbrojë titullin e kampionit të fituar një vit më parë, ndërsa Drita dhe Llapi nga njohësit e futbollit vendor shihet si rivalët kryesorë të suharekasve.
Në garë mund të futet edhe Prishtina, fituesi i Kupës së Kosovës për sezonin e shkuar, ndërsa me skuadër kompakte do të paraqitet edhe Dukagjini, që këtë vit debutoi në garat evropiane.
Malisheva vazhdon të mbetet stabile, ndërsa Liria, Feronikeli dhe Fushë Kosova që u inkuadruan në elitë, po ashtu kanë bërë lëvizjet e tyre.
Gjilani mbetet ende në mjegull, pas largimit të Florim Zukës nga presidenca e klubit, me gjilanasit që janë afër marrëveshjes me donatorë të rinj për të nisur sezonin. Pikërisht për këtë, ndeshjen e parë ndaj Fushë Kosovës nuk do ta zhvillojnë.
Telegrafi Sport ua sjell një analizë për secilin skuadër, ku përfshihet formacioni i mundshëm, përforcimet, vitet në elitë, trajneri dhe lojtari kryesor.
Dy herë kampioni radhazi i Kosovës, shihet si favorit edhe këtë vit, pasi në skuadër ka disa nga lojtarët më të mirë të futbollit vendor, ndërsa ky i sivjetmi do të jetë sezoni i tyre i tetë në elitë e futbollit kosovar.
Sezonin e shkuar ata e mbyllën me 73 pikë, ndërsa në Evropë kanë arritur deri në rrethin e tretë të fazës eliminatore të Ligës së Konferencës, ku ndeshjen e parë e kanë fituar me rezultat 2-0 ndaj Lincoln Red Imps.
Trajneri mbetet Ilir Daja, i cili fitoi dy tituj, kjo falë edhe qetësisë që sjell në skuadër, pa i llogaritur mjeshtërit e tij taktike që tashmë janë parë në futbollin tonë.
Klubi ka shitur për një shumë rekord sulmuesin Albion Rrahmani te Rapid Bukuresht, ndërsa janë larguar edhe emra si Stivi Frashëri, Rrustem Hoxha, Leutrim Bekteshi, Astrit Thaqi dhe Van Dave Harmon.
Ata janë përforcuar me Andrea Hoxhën, Ramush Ramadanin, Almir Kryeziu, Bleart Tolajn, Vesel Limën, Enea Koliçin dhe Walid Hamidin.
Ballkani vazhdon të ketë një organik shumë të pasur, ndërsa lojtarët kryesorë janë Lindon Emërllahu, Armend Thaqi, Meriton Korenica, Nazmi Gripshi, Lumbardh Dellova dhe Bajram Jashanica.
Nënkampioni i Kosovës, Drita, do ta luajë sezonin e 21-të në elitë, ndërsa në Evropë, u eliminua në raundin e dytë nga Vitoria Plzen në kohën shtesë.
Drita shihet si njëri nga favoritët kryesorë për titull edhe këtë sezon, ndërsa sezonin e shkuar tubuan 70 pikë.
Trajner mbetet Akis Vavalis, që tashmë e njeh ambientin në Gjilan, pasi erdhi vitin e shkuar.
Skuadra është përforcuar me emra si Albert Dabiqaj, Blerim Krasniqi, Rilind Haziraj, Hajdin Salihu, Astrit Thaqi, Albin Prapashtica, Laurit Beluli dhe Dilyan Georigiev.
Nga skuadra janë larguar emra si Hamdi Namani, Ilir Blakqori, Ardian Limani, Marko Simonovski, Almir Kryeziu, Tun Bardhoku dhe Iran Junior.
Si lojtari kryesor i gjilanasve shihet Muharrem Jashari, ndërsa aty vazhdojnë të mbesin edhe emra si Besnik Krasniqi, Rron Broja dhe Blendi Baftiu.
Sezonin e shkuar e zunë venin e tretë me 54 pikë, ndërsa sezoni aktual do të jetë i 19-ti për Gjilanin në elitë.
Në Evropë u eliminuan nga Progres Niederkorn, duke pësuar humbje në “Fadil Vokrri” me rezultat 2-0. Kjo humbje duket se ndryshoi mendjen e presidentit Florim Zuka, që u lagua përfundimisht nga klubi.
Aktualisht Gjilani nuk ka shumë lojtarë nën kontratë dhe ndeshjen e xhiros së parë ndaj Fushë Kosovës ka kërkuar që ta shtyjë.
Drejtuesit e mbetur janë në bisedime me disa donatorë të rinj dhe ndryshimet pritet të ndodhin brenda ditësh, ku do të emërohet trajneri i ri dhe do të vijnë përforcimet.
Nga klubi janë larguar emra si Enea Koliçi, Arbër Prekazi, Egzon Sinani, Armend Halili, Yll Hoxha, Arbnor Ramadani, Albert Dabiqaj, Besar Musolli, Mevlan Zeka, Baton Zabërgja, Shend Kelmendi, Arens Mateli, Përparim Islami, Granit Jashari dhe Theophilus Salomon.
Befasia e sezonit të shkuar, Dukagjini, do ta zhvillojë sezonin e gjashtë në total në elitën e futbollit kosovar.
Sezonin e shkuar ata e mbyllën në vendin e katërt me 50 pikë, duke fituar të drejtë të luajnë në Evropë, pasi fituesi i Kupës së Kosovës, Prishtina, nuk u licencua. Në Ligën e Konferencës, klinasit fituan ndaj FC Europa të Gjibraltarit në dy ndeshje, ndërsa u eliminuan nga Rijeka e Kroacisë në raundin e dytë.
Në krye të skuadrës vazhdojnë të jenë Armend Dallku me dy ndihmësit e tij Artan Luzi dhe Agon Ramadani, që janë edhe më meritorët për sukseset e Dukagjinit.
Klubi ka ruajtur boshtin e sezonit të shkuar, ndërsa ofruar në skuadër emra si Dren Feka, Theophilus Salomon dhe Iran Junior.
Nga skuadra janë larguar Ahmet Januzi, Oto John, Dior Zabërgja dhe Vladyslav Khomutov.
Lider i skuadrës në fushë është kapiteni Altin Merlaku, por edhe emra si Elton Basriu dhe Iljasa Zulfiu janë aty për ta thënë fjalën e tyre.
Rekordmeni i futbollit të Kosovës, Prishtina, do ta fillojë sezonin e 25-të në Superligën e Kosovës, shifër që nuk e ka askush.
Sezonin e shkuar Prishtina e mbyll në vendin e pestë me 48 pikë, por fituan Kupën e Kosovës. Nuk luajtën në garat evropiane pasi nuk u licencuan.
Në krye të skuadrës është Debatik Curri, ndërsa janë ofruar emra si Drilon Islami, Albin Krasniqi, Albion Kurtaj, Ardian Muja, Ermal Veliqi, Rilind Namani dhe Egzon Sinani.
Nga klubi janë larguar emra të njohur si Endrit Krasniqi, Gleci Mici, Bujar Pllana, Mendurim Hoti, Egzon Belica, Shefit Shefiti dhe Albin Prapashtica.
Lider në skuadrën tashmë të re në moshë janë Muhamet Useini, Mërgim Pefqeli dhe Leotrim Kryeziu, ndërsa ardhja e Krasniqit dhe Islamit është pritur mirë.
Për Malishevën do të jetë sezonin i tretë në elitë, ndërsa sezonin e shkuar e mbylli në vendin e gjashtë me 46 pikë.
Skuadra do të drejtohet nga Senad Alirifa, ndërsa drejtuesit kanë ruajtur bazën më të mirë të skuadrës, ndërsa ka afruar edhe lojtarë të ri.
Mendurim Hoti, Jerin Hadërgjonaj, Esmin Licina, Besnik Ferati, Laurent Xhylani, Gentrit Olluri janë disa nga emrat e afruar nga klubi i Malishevës.
Lider i skuadrës pritet të jetë edhe këtë vit kapiteni Dren Kryeziu, i ndihmuar nga Drilon Hazrollaj dhe Donart Vitija, që tashmë janë kthyer në lojtarë të rëndësishëm në Superligën e Kosovës.
Nga skuadra janë larguar Behar Maliqi, Alush Gavazaj, Florent Avdyli dhe Albion Berisha.
Llapi sezonin e shkuar e mbylli në vendin e shtatë me 43 pikë, duke mbyllur një nga sezonet më të dobëta në vitet e fundit.
Ky do të jetë sezonin e 13-të i Llapit në elitën e futbollit kosovar, ndërsa ka investuar shumë në skuadër të që paktën të arrihen garat evropiane.
Tahir Batatina vazhdon të mbetet trajner, ndërsa në klub është afruar si drejtor sportiv Mentor Zhdrella.
Klubi ka transferuar emra të njohur të futbollit tonë si Hamdi Namani, Besar Musolli, Ilir Blakqori, Arbnor Ramadani, Leotrim Bekteshi, Granit Jashari, Ergyn Ahmeti. Llapit i është bashkuar edhe meksikani Jose Cobian. Po ashtu janë ofruar edhe disa talentë, ku më i spikaturi llogaritet Elvir Gashjani.
Nuk kanë munguar as largimet si Kushtrim Shabani, Albion Kurtaj, Francisco Rivera, Andi Stafa, Aleksandar Milic dhe Bianor Neto.
Lojtari kryesor këtë sezon pritet të jetë Ilir Krasniqi, i ndihmuar nga shumë të tjerë që kanë zbarkuar së fundmi si Namani, Blakqori dhe Ramadani.
Feronikeli ’74 nga Drenasi u shpall kampion i Viva Fresh Ligës së Parë në Grupin A për edicionin garues 2022/23. Ata do të jenë për herë të parë anëtar të elitës së futbollit kosovar.
Skuadrën në sezonin 2023/24 do ta drejtojë Xhengis Rexhepi, i cili më parë në Kosovë ka drejtuar skuadra si Dukagjinin, Llapin dhe Lirinë.
Drejtuesit e klubit kanë bërë shumë ndryshime në skuadër, ndërsa pjesë e Feronikelit në sezonin e ri do të jetën emra të spikatur.
Klubi ka në skuadër lojtarësi Lapidar Lladrovci, Tun Bardhoku, Ahmet Haliti, Behar Maliqi, Robert Rrahmani, Adem Maliqi, Armend Halili, Ibrahim Cervadiku, Met Millaku, Alban Shillova, Bachare Razack, Alban Shabani, Shpresim Zogu, Granit Musa, Adnan Haxhaj dhe Amrush Bujupi.
Kapiteni Lapidar Lladrovci mbetet lider i skuadrës, ndërsa rreth tij ka shumë lojtarë me përvojë dhe do ta thonë fjalën e tyre në elitë këtë vit.
Fushë Kosova u shpall kampion Viva Fresh Ligës së Parë në Grupin B, duke lënë pas Ulpianën.
Ata u kthyen në elitë pas nëntë vitesh mungesë, ndërsa kanë bërë disa lëvizje që të paraqitet sa më mirë këtë edicion nën drejtimin e Burim Shalës.
‘Pampurat’ kanë afruar në skuadër emra si Urim Statovci, Arbios Thaqi, Osman Mëziu, Labinot Jashanica, Trim Avdyli, Armend Abazi, Gentrit Dumani, Drilon Cenaj dhe Kastriot Rrapuca.
Po ashtu në skuadër janë emra që dhanë kontribut të madh për kthimin e skuadrën në elitë si Nasuf Berisha, Armend Ruxhi, Valmir Kutllovci, Valon Hasani dhe Arbenit Krasniqi.
Fushë Kosova nuk do të luajë në stadiumin “Ekrem Grajçevci’ pasi fusha është në rinovim.
Biletën e fundit për edicion 2023/24 e siguroi Liria, duke e mundur në ndeshjen e barazhit Ferizajn pas penalltive.
Klubi me renome në futbollit tonë, filloi ndryshimet me t’u kthyer në elitë, duke bërë disa afrime, por edhe duke larguar disa lojtarë me emër.
Trajneri turk Nedim Yigit është zgjedhur për të drejtuar skuadrën, ndërsa janë larguar emra si Liridon Fetahaj, Robert Gjeraj dhe Visar Berisha.
Janë ofruar emra si Fatjon Bunjaku, Mërgim Bajrami, Arlis Shala, Altin Sylejmani, John Petrus, Siyabonga Dube, Redon Arifi dhe Andri Stafa, ndërsa janë vazhduar kontratat me disa nga lojtarët që ishin pjesë e klubit edhe në Ligën e Parë.
Liria do t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin ‘Përparim Thaqi’ në Prizren, që ka marrë një pamje të mirë.
Portieri Drilon Hodaj është një ndër lojtarët kryesorë në skuadër, duke mos përjashtuar as dyshen Prins Tjiueza dhe Aprociuous Petrus.