Fillon kongresi, a do të votohet Kosova?

Ka filluar sot në Vjenë Kongresi i UEFA-s.

Futbolli kosovar ka shpresa të mëdha se pikërisht në kryeqytetin austriak do të merret një vendim që do t’ia hapë rrugën e bashkimit në familjen evropiane dhe botërore. Në fakt, ndër pikat e këtij kongresi është edhe ajo ku do të bëhet shqyrtimi i aplikimeve për anëtarësim dhe përjashtimi i mundshëm i ndonjë anëtari.

Pikërisht në këtë pikë mund të shqyrtohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim, që iu dorëzua në mënyrë zyrtare javë më parë presidentit të UEFA-s, Michel Platini nga kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri. Pengesa e vetme ligjore për anëtarësimin e FFK-së në UEFA është neni i statutit të UEFA-s që kërkon që një vend të jetë i pranuar në OKB, por para kësaj pike në këtë kongres është edhe pika e ndryshimit të statutit të UEFA-s.

Drejtuesit e FFK-së pas takimeve me krerët e shtëpisë evropiane të futbollit kanë thënë se ekziston vullneti për t’u tejkaluar kjo pengesë. A është kjo dita e madhe e futbollit kosovar mbetet të shihet. Neve na mbetet të shpresojmë.