Fillimi është i vështirë

“Do të jetë shumë vështirë me kombëtare, e sigurt është se nuk jemi favoritë”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Dardan Berisha, basketbollist i Sigal Prishtinës. “Shpresoj që të rritet puna, të prodhojmë kualitet dhe ta përfaqësojmë vendin me lojtarë vendorë”, thotë Drilon Hajrizi i KB Peja.

Federata e Basketbollit e Kosovës me 13 mars (javën e kaluar) është anëtarësuar me të drejta të plota në asociacionin më të lartë botëror të basketbollit, FIBA dhe kësisoj janë hapur rrugët në të gjitha drejtimet për klubet dhe kombëtaren e Kosovës për të garuar në garat e ndryshme evropiane e botërore.

Basketbollin tonë tani e presin sprova të vështira, sepse me klube po ashtu edhe me kombëtare, do të luajnë në aktivitetet zyrtare ndërkombëtare. Për basketbollistët tanë do të jetë një rast i shkëlqyer me klube për të dëshmuar vlerat në kupat evropiane që nga edicioni i ardhshëm. Dardan Berisha, basketbollist i klasit botëror, anëtar i kampionit në fuqi, Sigal Prishtina, ka përvojë të hatashme, pasi që me Poloninë ka luajtur në Kampionatin Evropian –‘Lituania 2011’.

Berisha atëkohë ishte alfa dhe omega e kombëtares polake, ndërsa tani do t’i mbrojë ngjyrat e kombëtares së Kosovës. Edhe Drilon Hajrizi, basketbollist i Pejës dhe anëtar i kombëtares së Kosovës, është i gëzuar me pranimin dhe sugjeron se duhet punë më shumë me gjeneratat e reja. Berisha tha se është një hap i madh anëtarësimi i basketbollit të Kosovës në FIBA.