Fillim i “çuditshëm”, Cikalleshi “detyron” trajnerin e skuadrës së re që të japë dorëheqje

Ndërkohë që të gjithë në Turqi po përgatiten për fillimin e sezonit të ri, i cili është programuan në javën e ardhshme, një lajm aspak i mirë ka ardhur nga skuadra e Konyaspor, ku u transferua para pak ditësh sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi.

Trajneri i kësaj skuadre, Bulent Korkmaz ka dhënë ditën e djeshme dorëheqjen nga drejtimi i klubit dhe për këtë shkak është bërë sulmuesi shqiptar.

Korkmaz, i kishte kërkuar disa afrime të tjera drejtuesve, me këta të fundit që nuk ia kanë plotësuar, ndonëse fillimi i kampionatit është shumë afër.

Gjithashtu drejtuesit kanë vendosur të transferojnë Sokol Cikalleshin, për të cilin trajneri nuk kishte dijeni.

Sipas mediave turke në këtë mënyrë i irrituar nga veprimi i drejtuesve për afrimin e Cikalleshit, Korkmaz ka dhënë menjëherë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës, megjithëse klubi i Konyaspor në një reagim shkruan se trajneri ishte vënë në dijeni për afrimin e sulmuesit kavajas.