Figo ‘zgjeron’ Botërorin

Luis Figo thotë se Kupa e Botës duhet të zgjerohet në 40 ose 48 ekipe, nga 32 sa kanë marrë pjesë deri tash në këtë garë.

Këto ndryshime ai ka premtuar se do t’i realizojë nëse merr pozitën e kreut të FIFAs më 29 maj, kur do të zhvillohet zgjedhjet dhe ku ai ka për rival presidentin aktual, Sepp Blatter, si dhe Michael van Praag dhe Princin Ali Bin Al-Hussein.

“Unë besoj se ne duhet të konsiderojmë propozimet për ta zgjeruar Kupën e Botës nga struktura prej 32 në 40 ose edhe 48 konkurrues”, ka thënë Figo.

“Të dyja këto opsione janë të mundshme me tre ose katër ditë shtesë të garës. Nëse do të ndodhte ky zgjerim, besoj se ekipet shtesë duhet të vijnë nga kombet jo-evropiane”, ka shtuar portugezi.