FIFA po na vëzhgon nga afër

Katër zyrtarë të lartë të FIFA-s e UEFA-s, anëtarë të komisionit “ad-hoc” të këtyre dy organizatave të futbollit, kanë mbërritur të martën mbrëma në Kosovë.

Ata nuk kanë folur për mediat dhe puna e tyre nuk është të flasin në këtë kohë. Ata janë ngarkuar me detyrë nga FIFA dhe UEFA që të shohin nga afër gjendjen e futbollit të Kosovës dhe të raportojnë para këtyre organizatave në prag të pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në to, që pritet të bëhet në gjysmën e parë të muajit maj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vizita e tyre do të zgjasë deri të enjten, ndërkohë që puna e vërtetë e tyre në terren do të nisë të mërkurën në mëngjes, me takimin që do të kenë me kreun e FFK-së Fadil Vokrri dhe me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.

Zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës këtë vizitë e kanë quajtur si më të rëndësishmen që i ka ndodhur Kosovës në rrafshin sportiv.

Komisioni i UEFA-s dhe FIFA-s për dy ditë pa nga afër gjendjen e futbollit të Kosovës si në infrastrukturë ashtu edhe në organizim. Më pas do të bëjë një raport, të cilin do t’ia paraqesë Kongresit të UEFA-s, që më 3 maj do të mblidhet në Budapest dhe do të votojë “për” ose “kundër” pranimit të Kosovës në UEFA.

Nëse Kosova pranohet në UEFA, atëherë pas 10 ditësh pritet të pranohet edhe në FIFA.