FIFA me ‘dorë të hekurt’, e konsideron të neveritshme sjelljen e tifozëve shqiptarë ndaj Polonisë

FIFA po analizon trazirat e tifozëve në kualifikueset e radhës për “Katar 2022”, si dhe po vlerëson ndëshkimet përkatëse, sipas rregullores.

Probleme u vërejtën me tifozët e Hungarisë, të cilët u përleshën me policinë në “Wembley”, dhe ata të Shqipërisë, që hodhën sende të forta në fushën e lojës dhe goditën lojtarët polakë në rastin e golit, kur ata po festonin afër goditjes së këndit.

Kjo gjë bëhet e ditur nga vetë qeveria botërore e futbollit. Në stadiumin “Wembley” në Londër, përkrahësit e Hungarisë luftuan me policinë në tribuna, menjëherë pas fillimit të ndeshjes, ndërsa oficerët kërkonin të arrestonin një tifoz nën dyshimin për abuzim racor. Hungaria barazoi 1-1 me Anglinë.

Një ndeshje tjetër e Grupit I në Tiranë u pezullua për rreth 20 minuta. Karol Świderski sapo kishte shënuar për Poloninë në minutën e 77-të, kur u godit nga një shishe e hedhur prej tifozëve shqiptarë. Lojtarët e Polonisë u larguan në dhomat e zhveshjes, pasi kryesori francez ndërpreu ndeshjen, por u kthyen në fushë dhe luajtën minutat e mbetura, duke fituar 1-0.

“FIFA aktualisht po analizon raportet e ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Botëror, të zhvilluara mbrëmë, në mënyrë që të përcaktojë veprimin më të përshtatshëm, – tha organi drejtues i futbollit botëror në një deklaratë të Mërkurën. – FIFA dënon me forcë incidentet në Angli kundër Hungarisë dhe në Shqipëri kundër Polonisë dhe dëshiron të deklarojë se qëndrimi i saj mbetet i vendosur në refuzimin e çdo forme dhune, si dhe çdo forme diskriminimi ose abuzimi. FIFA ka një qëndrim shumë të qartë të tolerancës zero kundër sjelljeve të tilla të neveritshme në futboll”.

Dhuna e tifozëve të Hungarisë, përfshirë racizmin, gjatë ndeshjes në shtëpi kundër Anglisë, në Budapest, muajin e kaluar, bëri që kjo kombëtare ta luante ndeshjen e së shtunës kundër Shqipërisë në stadiumin bosh, pa tifozë. Me gjasë, tani e ka radhën Shqipëria për të luajtur pa tifozë në ndeshjen e fundit kualifikuese, kundër Andorrës, në vendin tonë.

Majlinda Kelmendi shpallet “Qytetare me merita të veçanta”

Zyrtarizohet shkarkimi i Bernard Challandes nga Kosova