FIFA dhe UEFA rrisin premitë

Champions League është prej kohësh një “Eldorado” i futbollit dhe do të jetë edhe në vitet e ardhshme, sepse që nga sezoni i 2015-2016 Uefa do të rrisë premiot për klubet pjesëmarrëse në kompeticionin më të rëndësishëm europian. Sipas mediave italiane, rritja do të jetë e ndjeshme dhe do të shkojë deri në 32%. Nga 1.4 miliardë që klubet pjesëmarrëse në Champions përfitojnë që nga 2012, kjo shumë do arrijë 1.9 miliardë Euro. Pra do të jenë rreth 500 milionë Euro më shumë që do të shkojnë në arkat e klubeve.

Europa League në krahasim me Championsin mbetet një turne i varfër, gjithsesi në këtë kompeticion do të ketë rritje të premiove nga ana e UEFA-s. Nga 243 milionë Euro që klubet përfitojnë nga 2012, kjo shifër do të shkojë në 300 milionë deri në vitin 2018.

Lajme pozitive edhe përsa u përket shpërblimeve të FIFA-s për skuadrat pjesëmarrëse në Botëror. Institucioni më i lartë i futbollit në botë në Afrikë 2010 ka shpërndarë 40 milionë Dollarë, ndërsa në Brazil 2014, 70 milionë Dollarë. Për Rusi 2018 dhe Qatar 2022, shpërblimet do të arrijnë në total 209 milionë Dollarë. Një rritje shumë e ndjeshme për t’i bindur klubet që të luhet në dimër në “Qatar 2022”.

Një lajm shumë interesant, që mund të konsiderohet i rëndësishëm për marrëdhëniet mes klubeve dhe UEFA-s dhe FIFA-s, është e drejta e votës që do të kenë dy përfaqësuesit më të lartë të Shoqatës së Klubeve Europiane në komitetin ekzekutiv të qeverisë së futbollit europian.