FHK krenohet me arritjen e madhe të tyre: Të tjerët vazhdojnë ta ëndërrojnë, ne e realizuam

Federata e Hendbollit të Kosovës vazhdon të mburret me sukseset ekipore që ka arritur ky sport.

Hendbolli është sporti i vetëm kolektiv që ka arritur të prezantohet në një eveniment siç është Kampionati Botëror, dhe kjo ka bërë që Federata e Hendbollit të Kosovës të mburret më këtë.

“Si çdo herë hendbolli dhe Federata jonë prijnë në procese. Botërori i juniorëve “Spanja 2019” do të mbetet gjatë në kujtesë. Paraqitja impresive me finalisten, Kroacinë, barazimi me Bahrejnin dhe fitorja me Australinë shënuan pjesëmarrjen tonë.

Kosova për herë të parë në të gjitha sportet ekipore garoi në botëror. Pjesëmarrja natyrisht ishte fitore e madhe edhe politike për shtetin tonë. Pos që garuam me superfuqi të sportit, mundësuam që shteti që nuk e njeh Kosovën, të shfaq dhe të respektojë flamurin tonë. Para secilës ndeshje në Spanjë është intonuar himni i Kosovës.
Ne nuk ndalemi. Synojmë maja tjera. Pas pak ditësh seniorët nisin përgatitjet për kualifikime të botërorit”, ka shkruar FHK në faqen zyrtare të saj.