FFK ‘tinzare’, brenda një periudhe të shkurtër fal në heshtje dy dënimet e Ballkanit

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, Federata e Futbollit të Kosovës e ka gjetur veten në dy veprime tejet “tinëzare”, duke i shkuar për shtati klubit të Ballkanit.

Fillimisht, Komisioni Disiplinor i FFK-së ia ka hequr dënimin prej një viti mos kryerje të detyrës zyrtarit të Ballkanit, Arben Osmani, raporton “Zeri.info”.

Osmani ishte dënuar në fund të vitit të kaluar me një vit pezullim për ta kryer detyrën e tij si dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Shkaku i dënimit të tij lidhet me falsifikimin e protokollit tv ndeshjes së javës së tetë të kategorisë së juniorëve mes Ballkanit dhe Flamurtarit, ku ka fshirë faqen e evidentimit të zëvendësimeve, golashënuesve, ndëshkimit të futbollistëve dhe të tjerë.

Ndërkaq, tani Komisioni për ankesa që vepron në kuadër të FFK-së, ka bërë edhe një tjetër veprim “tinëzar” duke mos e publikuar fare në uebsajtin zyrtar të FFK-së.

Saktësisht, ky komision ka ndryshuar pjesërisht dënimin me dy ndeshje moslojë për portierin malazez të Ballkanit, Dair Lalanoviq.

“Gardiani” nga Mali i Zi ishte i pezulluar me dy ndeshje moslojë pas kartonit të kuq në ndeshjen ndaj Llapit në Kupën e Kosovës si dhe me 200 euro gjobë.

Por, pas “rishikimit”, ky komision e zbriti pezullimin e malazezit në vetëm një ndeshje moslojë (të cilën e ka kryer tashmë” si dhe gjobën në 100 euro.