Arben Osmani është njëri nga personat zyrtarë të deleguar nga Federata e Futbollit e Kosovës për takimin e Ligës së Parë ndërmjet 2 Korrikut dhe Vllaznisë së Pozheranit.
Megjithatë, para një muaji i njëjti person ishte i dënuar nga Komisioni Disiplinor me një vit pezullim aktiviteti nga të gjitha garat.
Osmani kishte falsifikuar protokollin zyrtar të ndeshjes së Juniorëve ndërmjet Ballkanit dhe Flamurtarit, teksa pas inicimit të procedurës disiplinore, ai mori dënimin nga disiplina.
Megjithatë, pas ankesës që kishte bërë në Shkallën e Dytë atij i është hequr dënimi tërësisht. Këtë gjë e kishte konfirmuar vetë Osmani në një prononcim për Insportin.
“Po. Shkalla e dytë ma ka hequr në tërësi. Kam apeluar brenda afateve të përcaktuara me rregullore” – tha Osmani
Osmani kishte qenë edhe disa herë në të kaluarën si delegat në ndeshjet e kësaj kategorie, mirëpo përpara se të ishte i dënuar.

Ballkani deri vonë ishte njëri prej klubeve me opozitare të FFK-së, por kohëve të fundit i ka ndalur kritikat.
Më poshtë keni vendimin e Komisionit Disiplinor për zyrtarin e klubit të Ballkanit:
ARBEN OSMANI; zyrtar i klubit të futbollit BALLKANI nga Suhareka me numër të ID kartelës; 009682M79 në procedurë të hapur disiplinore nga mbledhja e kaluar e komisionit për falsifikim të protokollit zyrtar të ndeshjes së javës së VIII-të të kategorisë së juniorëve; BALLKANI – FLAMURTARI (ka fshirë faqen e dytë të protokollit ku ishin të evidentuara; ndërrimet, golashënuesit, ndëshkimet e lojtarëve me kartonë të kuq dhe të verdhë) si dhe për mashtrim dhe sjellje në lajthim në aktivizimin e lojtarit pa të drejtë loje; Lindon Emerllahu me numër të ID kartelës 0083900M02 (suspenduar për shkak të katër kartonëve të verdhë) në ndeshjen e javës së; XV të Superligës së Kosovës për kategorinë e juniorëve; TREPÇA – BALLKANI e zhvilluar në Mitrovicë. Bazuar në nenin 67 paragrafi 1 pika c, f dhe h të Rregullores disiplinore; DENOHET me ndalesë në kryerjen e detyrës së zyrtarit në klub si dhe funksioneve tjera në kohëzgjatje për; 1 (një) vit për të gjitha ndeshjet zyrtare të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe me; 100 euro (njëqind euro). Afati i pagesës së dënimit të shqiptuar me të holla është 8 ditë nga data kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.