Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin publik se ka përgatitur ankesën e radhës pranë UEFA-së lidhur me përsëritjen e sjelljes me retorikë nacionaliste dhe raciste nga tifozët serbë gjatë ndeshjes së Grupit C të Euro 2024, ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë, e cila u zhvillua të enjten në Munih.
FFK dënon fuqimisht thirrjet nacionaliste dhe vendosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës e me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.
Përsëritja e sjelljeve të tilla në stadiumet e futbollit, edhe pas dënimeve të mëparshme nga UEFA, është e papranueshme dhe kërkon rigorizitet më të madh nga organet vendimmarrëse të UEFA-së.
Mesazhet me retorikë shoviniste janë skandaloze, bien ndesh me vlerat që përçon sporti dhe minojnë parimet bazë të UEFA-së.
FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit dhe unitetin e respektin ndaj të gjithë të përfshirëve në futboll.