FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të komentatorit e gazetarit sportiv, Milaim Krasniqi

Ka ndërruar jetë gazetari shumëvjeçar sportiv Milaim Krasniqi pas një sëmundje të rëndë.

53-vjeçari ka qenë për dekada pjesë e gazetarisë sportive, derisa ka punuar në RTK Radio.

Krasniqi ishte një kohë edhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, derisa ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë.

Federata e Futbollit e Kosovës, me në krye Agim Ademin i ka shprehur ngushëllime familjes Krasniqi dhe komunitetit të gazetarëve sportivë për vdekjen e Milaim Krasniqit.

E nderuara Familje Krasniqi!
Të nderuar drejtues dhe anëtarë të SHGSK-së!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Milaim Krasniqi, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.

Milaim Krasniqi i dha shumë gazetarisë sportive e bashkë me të edhe futbollit të Kosovës. Ai ishte zëri kumbues i futbollit kosovar që nga ditët e para të pasluftës nëpërmjet valëve të radios.

Ai nisi me radiotransmetime në Radion Kosova e Lirë, për të vazhduar më pas në Radio Rilindja dhe për të vazhduar traditën e transmetimeve në Radio Kosova, aty ku punoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Mili ishte zëri simbol i radiotransmetimeve të futbollit për më shumë se tri dekada. Ishte pjesë e çdo suksesi të klubeve tona, por edhe i Kombëtares së Kosovës.

Ai ishte përplot pozitivitet e vizion. Ishte i lindur për të qenë komentator sporti. Mënyra se si e përçonte emocionin e një ndeshje futbolli tek dëgjuesit e radios ishte sa e veçantë, por aq e papërsëritshme. Thjesht ishte mjeshtër i mikrofonit.

Ikja e tij e hershme nga kjo botë është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe për gazetarinë sportive.

Ai pas vetës la një arkiv të pasur radiotransmetimesh, emisionesh e spektaklesh sportive e argëtuese. Milaimi ishte i gjithanshëm, intelektual e me virytete të larta.

Në këto momente të vështira qëndrojmë afër familjes Krasniqi dhe tërë kolegëve e miqve të tij.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me pikëllim të madh,
Agim Ademi, president i FFK-së

Dembele: Messi e meriton Kupën e Botës, por…

City mbretëresha e përfitimeve nga FIFA, ja sa milionë dollarë do të përfitojë për 16 lojtarë në Katar