FFK me telegram ngushëllimi pas vdekjes së tifozit veteran nga Gjakova, Myrteza Këndesi

Një zotëri i rrallë, që fjalët i kishte gjithmonë qesharake dhe “me spec”.

Myrteza Këndusi – Xaja, “lideri” i tifozëve të moshuar të Vëllaznimit, ka ndërruar jetë, përcjellë Gazeta Olle.

Ai ishte një veteran i respektuar i komunitetit sportiv gjakovar, pasi që i përcjellte vazhdimisht ndeshjet e skuadrave sportive të qytetit.

Stadiumi kuqezi për të ishte një shtëpi dhe ndeshjet i shoqëronte shpesh me meze e raki.

Edhe faqja zyrtare e Vëllaznimit ka ngushëlluar familjen Këndusi.

“Një ndër tifozët më të vjetër dhe më flakt të klubit ka ndërruar jetë, Xaj Këndusi.

Do të na mungosh gjithmonë në tribunat e stadiumit.

Ngushëllime familjes Këndusi, tifozëve dhe gjithë qytetit të Gjakovës”, njofton Vëllaznimi.

Më poshtë një punim për Këndusin nga karikaturisti i shquar gjakovar, Gurakuç Dobruna. 

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

“Të nderuar drejtues të KF “Vëllaznimi” dhe tifozë të futbollit në Gjakovë,

Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe të njërit prej tifozëve më të moshuar të KF ‘Vëllaznimi’ dhe futbollit kosovar në përgjithësi, Myrteza Këndusi – Xaja, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.

Xaja ishte shembull për të gjithë dashamirët e futbollit dhe sportit në Gjakovë e më gjerë. Ai ishte i pranishëm në çdo ndeshje futbolli, por edhe në ngjarjet tjera sportive në këtë qytet. Për Xajën, stadiumi ishte shtëpia e tij e dytë, derisa përkushtimi dhe dashuria ndaj futbollit bëri që ai të gëzonte kudo respekt të madh nga komuniteti sportiv.

Xaja ishte një njeri i urtë, mik i shkëlqyeshëm dhe i nderuar në mesin e futbollistëve e tifozëve, ndaj si i tillë do të kujtohet përherë.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së”. /Gazeta Olle/