FFK me reagim për gjendjen e fushës ‘Fadil Vokrri’: Stadiumi nuk është pronë e jona

Gjendja e fushës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e mbrëmshme Kosovë-Izrael la nën hije fitoren dhe paraqitjen e angazhimin e shkëlqyeshëm të djemëve tanë dardanë. Shumëkush nuk ngurroi që shigjetat për gjendjen e fushës t’i hedhë në një drejtim. Por, është e rëndësishme të theksohet se ky stadium nuk është pronë e FFK-së dhe kjo ka sjellë sfida të mëdha financiare për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tij.

FFK e ka marrë nën menaxhim stadiumin në kushte të mjerueshme, atëherë kur askush as nga institucionet e as nga organizatat sportive nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri për të marrë nën menaxhim këtë impiant sportiv. Jemi të vetëdijshëm se në situata të tilla më e lehta është hedhja e fajit tek tjetri, por nuk duhet harruar faktin se në çfarë gjendje është marrë stadiumi. Punëtorët aty kanë qenë të angazhuar nga komuna, por nuk janë paguar me muaj të tërë përderisa FFK ka vendosur ta marrë përgjegjësinë edhe për pjesën e punëtorëve të angazhuar.

FFK nuk mund ta marrë barrën për gjendjen e tillë të fushës, duke e ditur stërngarkesën e aktiviteve (jo vetëm sportive) në këtë stadium gjatë këtij viti. Askush nga institucionet, qoftë të nivelit lokal apo qendror, nuk është marrë asnjëherë me çështjen e fushës, ndonëse prej shumë kohësh e kemi ngritur zërin për urgjencë dhe për nevojën e një stadiumi alternativë.

Bari i kësaj fushe është konsumuar dhe është e domosdoshme ndërhyrja e plotë për riparimin e fushës. FFK tash e sa kohë e ka projektin e gatshëm për të kryer investim të plotë, por një gjë e tillë nuk është lejuar. Para ndeshjes së mbrëmshme në këtë stadium kanë luajtur Ballkani e Prishtina, derisa brenda pak ditësh do të luhen edhe ndeshjet e Kombëtares U21, Kombëtares A, Kombëtares së femrave dhe ndeshja e Ballkanit në Ligën e Konferencës. Nuk ka askund në botë ndonjë stadium që do të mund t’i bënte ballë një kalendari kaq të ngjeshur të ndeshjeve, aq më parë kur dihen edhe kushtet atmosferike që mbretërojnë në vendin tonë në një periudhë të këtillë.

FFK asnjëherë nuk ka marrë asnjë subvencion për mirëmbajtjen e kësaj fushe nga institucionet, e që brenda një viti menaxhimi i saj i kushton mbi 100 mijë euro. Madje, askush nuk përkujdeset për asnjë dëmtim apo avari që bëhet në stadium gjatë zhvillimit të ndeshjeve, përveç FFK-së. Pagesa e vetme që kryhet nga klubet që i zhvillojnë ndeshjet aty është fatura e reflektorëve, kur ndeshjet zhvillohen në orët e mbrëmjes.

Ndonëse nuk ka pronësi mbi stadiumin, FFK është e gatshme që ta realizojë projektin me bari hibrid, por meqenëse tani nuk premton koha e nevojshme prej dy muajsh për një gjë të tillë, ka angazhuar kompani private me ekspertë për ta mirëmbajtur në mënyrën më të mirë të mundshme fushën aktuale dhe do të bëjë çmos që ta rikëndellë atë për aq sa ekzistojnë mundësitë. Mirëpo, me një kalendar të tillë të ngjeshur të ndeshjeve është e pamundur që fusha të jetë në gjendjen optimale.

Nëse vazhdohet me një neglizhencë të tillë të institucioneve ndaj këtij problemi, atëherë FFK është e gatshme t’ia kthejë menaxhimin komunës apo kujdo tjetër nëse ka të interesuar. Atëherë do të presim nëse fusha do të jetë e pranueshme për ndeshjet ndërkombëtare apo do të jemi të shtrënguar të shfrytëzojmë alternativën e dytë – atë të zhvillimit të ndeshjeve jashtë vendit, siç kemi bërë në vitet e para pas pranimit në UEFA e FIFA.

Krejt në fund FFK shpreh keqardhje për mungesë mbështetjeje për djemtë tanë dardanë, të cilët dhanë maksimumin e tyre në një fushë të tillë të rënduar. Të gjithë u morën me negativitet dhe askush nuk mori mundin t’i lavdërojë djemtë në fushë si dhe institucionet e sigurisë për një punë fantastike në mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, e cila përveçse e rëndë në fushë, ishte e tillë edhe jashtë fushës.

Gjithsesi, FFK do të vazhdojë të japë maksimumin e saj për përmirësimin e infrastrukturës sportive, por pa dyshim se në këtë objektiv është e nevojshme edhe ndihma e shtetit.

Ujkani flet pas debutimit te Kosova me pozitë të re: I veçantë nderimi i Dardanëve

Afrim Tovërlani s’lëshon pe: Rashica nuk na ktheu përgjigje, Hazrollaj me mua e ka kry