FFK-ja kërcënon Munishin, trajneri kampion nuk trembet

Në janar të këtij viti, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) mori vendim që asnjë trajnerë të mos i udhëheq skuadrat në Superligë, pa qenë më parë i pajisur me licencën A.

I vetmi trajner në elitë, i cili ende nuk është pajisur me këtë licencë, është ai i Hajvalisë, Ismet Munishi.

Zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha ‘betohet’ se asnjë trajnerë nuk mund të drejtojë skuadra në elitë pa qenë i pajisur me licencën A. “Është vendim i prerë dhe të gjithë kanë qenë të njoftuar. Pa qenë me licencën A, nuk mund t’i drejtojnë ekipet në elitë as Munishi e askush tjetër”, deklaroi Berisha për Gazetën ‘Olle’.

Çështjen në fjalë e komentoi edhe vet Munishi. “Së pari unë jam trajneri më i mirë në Kosovë. Nuk kam mundur që të shkoj për licencë sepse kam qenë në vlugun e përgatitjeve me Hajvalinë. Ka dikush që po mundohet të më bëjë presion psikologjik por nuk e kam ndërmend që të shqetësohem, do të flejë edhe natën. Nesër do ta kem një takim me zyrtarë të FFK-së. Tek e fundi do t’i paguajë të gjitha dënimet dhe do ta drejtojë ekipin”, potencoi Ismet Munishi, i cili në vitin e kaluar u shpall kampion me Llamkos Kosovën.

Me shpresë se FFK-ja do të bëjë lëshime, mbetet Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Ajet Shosholli. “Mendoj se duhet të lejohen edhe trajnerët me licencën B, deri në fund të edicionit. Vetëm Munishi aktualisht është pa licencë A”, pohoi Shosholli.