FFK: Duhet të na kërkojnë ‘izë’ për miqësoren Graçanica – Crvena Zvezda

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka asgjë rreth ardhjes së klubit të madh serb Crvena Zvezda në Kosovë. As kundër që të luajë me një skuadër kosovare të serbeve, Graçanica, siç është paralajmëruar për datën 4 maj. Por, ajo është kundër që kjo ndeshje, e paralajmëruar si humanitare, të zhvillohet pa lejen e saj. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se nëse në FFK nuk shtrohet kërkesa për këtë ndeshje, atëherë do të pengohet zhvillimi i saj.

“Asnjë ndeshje në territorin e Kosovës nuk mund të bëhet pa lejen e Federatës së Futbollit të Kosovës, kështu që është absurde të luhet ajo ndeshje pa lejen tonë. Duhet që të bëhet kërkesa në Federatë e më pas të shqyrtohet nëse do ta lejojmë apo jo. Por, ndeshjet miqësore nuk mund t’ia ndalojmë askujt, por duhet që të bëhet kërkesë”, ka thënë Salihu, të mërkurën për ‘Kohën Ditore’.

Ndërkohë, në klubin nikoqir të kësaj ndeshjeje, Graçanica, thonë se disa punë ia ka lënë t’i kryejnë zëvendëskryeministri i Kosovës, Stojanoviq, dhe kryetari i Graçanicës, Kostiq. Pikërisht për shqetësimin e FFK-së – lejen, thonë se përsipër e ka marrë kjo dyshe e politikës.

“Ne përgatitjet për ndeshjen miqësore me Zvezdën i kemi filluar tashmë. Sa i përket lejes dhe gjërave të tjera, të gjitha i kanë marrë përsipër t’i kryejnë kryetari i Komunës së Graçanicës dhe zëvendëskryeministri. Po ashtu me kohë do të njoftojmë edhe policinë dhe nuk besoj se do të kemi ndonjë telash për shkak se kjo është një ndeshje miqësore për bamirësi”, ka thënë kryetari i klubit Graçanica, Miodrag Dimitrijeviq.