FFK bën shpërndarjen e policës së sigurimit shëndetësor për klubet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës U17 të vajzave

Federata e Futbollit të Kosovës sot ka bërë shpërndarjen e policës së sigurimit për klubet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës U17 të vajzave. Shpërndarja u realizua në selinë e FFK-së, ku ishin të pranishëm nënkryetari Agim Dibrani, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Vjollca Krasniqi, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sigal, Përparim Drini.

Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Vjollca Krasniqi, falënderoi kompaninë Sigal për interesimin që kanë shprehur për bashkëpunimin që prej vitit të kaluar, veçanërisht në sektorin e futbollit të vajzave. Ajo u shpreh e kënaqur për mbështetjen që po i jepet futbollit të vajzave. Krasniqi theksoi gjithashtu se futbolli i vajzave ka nevojë për më shumë mbështetje nga bizneset, por kjo sipas saj arrihet përmes rritjes së cilësisë së futbollit.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigal Group, Përparim Drini, falënderoi Federatën e Futbollit të Kosovës për bashkëpunimin në dy vitet e fundit. Ai theksoi se kanë mbajtur takime me FFK-në për të parë nëse klubet kishin ndonjë pakënaqësi vitin e kaluar, në mënyrë që të sigurohen që gjithçka të shkonte mirë këtë vit. Po ashtu, ai shprehu kënaqësinë që kompania Sigal është sponsor kryesor i Superligës së vajzave.

Nga ana tjetër, drejtoresha e departamentit të shëndetit në Sigal, Arbresha Jonuzi, informoi përfaqësuesit e klubeve rreth policës së re. Ajo bëri të ditur se kontratat janë të njëjta, ashtu sikurse edhe mbulueshmëria. Kontrata aktuale është e vlefshme deri më 30 shtator, dhe nga 1 tetori fillon viti i ri. Përfaqësuesit e klubeve u shprehën mirënjohës dhe të lumtur për këtë projekt, duke e vlerësuar atë si të suksesshëm dhe të rëndësishëm për ecurinë e klubeve.

Duka së bashku me Ademin priten nga kryeparlamentari Glauk Konjufca

Akil Gjakova i sjell medaljen e argjendtë Kosovës nga Grand Slami në Abu Dabi