Feston FBK

Federata e Basketbollit të Kosovës, pas pranimit në FIBA, ka organizuar një koktej ku ishin mysafirë të shumtë ndër ta edhe sekretari i përgjithshëm i FIBA-së, Kamil Novak dhe drejtori sportiv i FIBA-së Lubomir Kolteba.

Kryetari i FBK-së Erolld Belegu u shpreh i lumtur me pranimin e FBK-së në FIBA, duke falënderuar të gjithë për kontributin që kanë dhënë për basketbollin e Kosovës, dhe të gjithë aleatë të cilët mundësuan pranimin e FBK-së në FIBA.

“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë për kontributin të cilin e keni dhënë për basketbollin e Kosovës. Pranimi në FIBA, ishte një rrugë e gjatë për të gjithë ne dhe jam i lumtur që kemi arritur të bëhemi anëtarja e 215 në FIBA”, u shpreh Belegu.

Në këtë ceremoni i pari i FBK-së ndau edhe disa mirënjohje në shejnë falënderimin për zyrtarët e FIBA-së të cilët ishin të pranishëm në këtë aheng.