Festa e veçantë e Igball Jasharit, pas golit të shënuar: Kujtojmë Epopenë e UÇK-së

Pasardhësi i familjes Jashari, Igballi, ka shënuar një gol të bukur në fitoren e Prishtinës ndaj Trepçës ’89 në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës dhe ka festuar në mënyrë të veçantë.

Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 5-1 ndaj Trepçës ’89 në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të kësaj gare.

Goli i pestë dhe i rezultatit përfundimtar u shënua nga talenti drenicas, Igball Jashari, i cili është pasardhës i familjes heroike duke qenë djali i Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Jashari i cili u inkuadrua në pjesën e dytë dhe shënoi një gol të bukur, e pasoi atë me një festë të veçantë.

Pasardhësi i familjes Jashari mori një fanellë nga banka e cila kishte ngjyrat e ushtrisë dhe në të ishte e vendosur logo e Epopesë së UÇK-së me fytyrat e Shaban, Hamës dhe Adem Jasharit.

Padyshim se ky ishte një moment krenarie për talentin drenicas që shënoi pikërisht në kohën kur përkojnë datat e Epopesë së UÇK-së.

Ndërkohë edhe Prishtina ka publikuar një foto të Igball Jasharit pas ndeshjes.

“Kujtojmë Epopenë e UÇK-së me golin e Igball Jasharit”, ka shkruar faqja e Prishtinës. /Gazeta Olle/

Agim Ademi nga Prekazi: Ky vend është i shenjt jo vetëm për ta vizituar por edhe për ta kujtuar vetën kush je

Dështon përfundimisht transferimi i Myles te Peja