Ferrer triumfon në Rio

David Ferrer fitoi trofeun e dytë për këtë vit pasi arriti të mundë në dy sete në finalen e turneut të ATP të Rios, Fabio Fogninin. Italiani që kishte eleminuar në gjysmëfinale spanjollin Nadal tregoi se Ferrer vazhdon të mbetet një “makth” për të, pasi humbi ndeshjen e tetë radhazi ndaj tij. Spanjolli në fakt, e zgjidhi shpejt setin e parë, teksa i mori shërbimin në gamen e katërt Fogninit, për të kryesuar 3:1. Kaq mjaftoi që Ferrer të shkonte i qetë drejt fitimit të setit të parë me rezultatin 6-2, pasi kundërshtari i tij i lejoi të merrte dhe një tjetër game me break, pasojë e një gabimi në backhand.

Në setin e dytë, Fognini pati mundësinë për t’i thyer shërbimin kundërshtarit kur shifrat ishin në 1:1, por Ferrer arriti të rekuperojë duke u shkëputur madje në 3:1. Italiani humbi sërish shërbimin me spanjollin që kryesoi deri në 5:1. Tenisti italian u duk sikur u kthye në ndeshje kur shkurtoi rezultatin në 5:3, por Ferrer bëri gjithcka mirë duke fituar 6:3 dhe 2:0 me sete. Ky ishte titulli i parë në Rio për spanjollin dhe i 23-ti në karrierë.