“Ferrarin” që e trashëgoi nga Munishi e humbi edhe Shkëmbi, por kush ishte më i suksesshëm si timonier?

Gjatë ditës së sotme përmes një komunikate zyrtare, KF Ballkani njoftoi se e ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Bledi Shkëmbi. 

Ky vendim erdhi pas dy humbjeve radhazi, nga Drenica javën që shkoi (2-1) dhe nga Arbëria sot (2-3), shkruan Gazeta Olle.

Gjashtë pikë të lëshuara nga klubi suharekas, të cilat tri javë pa përfunduar kampionati e lënë pesë pikë larg liderit, Prishtinës.

Ballkani gjatë këtij sezoni kishte shkarkuar edhe Ismet Munishin në një situatë pothuajse të njejtë, pasi kishte pësuar dy humbje radhazi, nga Prishtina (2-1) dhe nga Gjilani (0:4).

Munishi ishte trajneri i “Xhebrailave” për një sezon e gjysmë, dhe nëse flasim vetëm për këtë sezon, ndërrimi i tij me Shkëmbin nuk solli asnjë ndryshim pozitiv në klub.

Ish-kampioni i Kosovës me Llamkosin, e drejtoi Ballkanin në 19 ndeshje ndeshje gjatë këtij sezoni (18 në Superligë, një në Kupën e Kosovë).

Në Superligë shënoi 12 fitore, u mposht katër herë dhe barazoi në dy ndeshje. Në total mblodhi 38 pikë dhe e la skuadrën në pozitën e dytë në tabelë. Ai gjithashtu fitoi në rrethin e dytë të Kupës së Kosovës para se të shkarkohej.

Në anën tjetër, ish-trajneri i Lirisë dhe Teutës, Bledi Shkëmbi, në ndeshjen e tij të parë si timonier i Ballkanit, u eleminua nga 1/8 e finales së Kupës së Kosovës nga Llapi.

Në Superligë e drejtoi skuadrën suharekase në 15 takime, ku arriti t’i merrte nëntë fitore, u mposht katër herë dhe barazoi në dy ndeshje. Në total grumbulloi 29 pikë dhe së bashku me pikët e trashëguara nga paraardhësi i tij, e la skuadrën në pozitën e tretë, me gjasa minimale për titull.

Të dy teknikët pësuan nga katër humbje dhe barazuan nga dy herë, por Munishi kishte tri fitore më shumë se Shkëmbi në Superligë, që e bënë një nuancë më të suksesshëm.

Mbetet të shihet se kush do të jetë i besuari i radhës i skuadrës së Ballkanit. /Gazeta Olle/