Feronikeli – Prishtina, në këtë takim u shkrua historia

Kampionët në fuqi kanë realizuar një tjetër fitore përballë kryeqytetasve këtë fundjavë (1:0), duke dëshmuar dominimin absolut gjatë ballafaqimeve ndërmjet këtyre dy skuadrave.

Me fitoren e regjistruar në vikendin që lëmë pas, skuadra nga Drenasi, Feronikeli, bëhet skuadra e parë në histori që arrin ta mposhtë Prishtinën tri herë brenda një kampionati, transmeton ‘Super Sport Kosova’.

Që nga koha kur kampionati i Kosovës zhvillohet me sistemin e garave të Bergerit, “tigrat e zi” kanë qenë vërtetë ankth për skuadrën kryeqytetase.

Dueli i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave ishte zhvilluar në javën e parë të kampionatit dhe u mbyll me fitoren e minimale të Niklit në Prishtinë, 0:1.

Në duelin kthyes të fazës së dytë, Feronikeli sërish triumfoi përballë Prishtinës, mirëpo kësaj rradhe me shifra më të larta, 3:1.

Ndërkohë fitoreve ndaj Prishtinës i është bashkuar edhe triumfi i ditës së diel, i cili mbanë firmën e sulmuesit Mendurim Hoti. /Olle