Feronikeli, në rrugë të mirë për mbrojtjen e titullit

Skuadra e Feronikelit, pati një sezon ëndrrash vitin e kaluar, duke fituar Superligën dhe pastaj edhe Kupën e Kosovës në futboll, mirëpo ata duket që nuk janë të kënaqur vetëm me suksesin e sezonit të kaluar, sepse po tentojnë ta mbrojnë titullin edhe këtë vit.

“Feronikeli”, momentalisht është në pozitën e parë në tabelën e Superligës dhe ka mbledhur gjithsej 53 pikë nga 26 ndeshje, duke shënuar 16 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje.

Mirëpo, kampionët aktual nuk janë të vetmit në rrugën për titull këtë vit, ata ndiqen vazhdimisht nga “Hajvalia”, e cila është në vendin e dytë momentalisht dhe ka 46 pikë, 7 pikë më pak se “Feronikeli”.

Momentalisht, skuadra nga Drenasi është më mirë me rezultate, ata në 5 ndeshjet e fundit kanë 5 fitore, ndërsa “Hajvalia”, ka ngecur me një humbje, dy barazime dhe dy fitore.

Toverlani i kënaqur me ecurinë

Trajneri i “Feronikelit”, Afrim Toverlani, thotë për Gazetën Infopress që klubi i tij nuk guxon të mendojë që puna për titull ka mbaruar pasi që ka shumë kohë, mirëpo ai e pranon që është i kënaqur me ecurinë e futbollistëve të tij.

“Jam i kënaqur me ecurinë dhe jemi në rrugë të drejtë, mirëpo ka shumë kohë dhe nuk guxojmë të mendojmë që puna për titull ka përfunduar. Na presin edhe shumë ndeshje, secila më e vështirë se tjetra, prandaj është ende herët për titull”, ka thënë ai për Gazetën Infopress.

Toverlani gjithashtu thotë që nuk po merret me kalkulimet e klubeve tjera dhe as që është marrë ndonjëherë me këtë gjë.

“Prej fillimit nuk jam marrë me rezultatet e klubeve tjera, nuk më intereson a fitojnë klubet tjera, më interesojnë vetëm rezultatet dhe puna e klubit tim”, tha ai për Gazetën Infopress.

Futbollistët besojnë në titull

Haxhi Shala, mbrojtësi i “Feronikelit”, që ka tipare edhe të mesfushorit, ka thënë për Gazetën Infopress që ata besojnë në titull, edhe pse lufta është ende e hapur.

“Besojmë në titull. Mendoj që mund ta mbrojmë titullin, mirëpo ne nuk duhet ti japim vetes shumë komoditet derisa matematika të thotë që ne jemi kampionë”, ka thënë ai.

Shala gjithashtu vazhdon duke thënë që nuk e ndjen presionin e ndjekësit, “Hajvalisë”, dhe se hyjnë pa presion në çdo lojë.

“Jo nuk jemi në presion. Ne hyjmë në secilën ndeshje pa presion dhe ne i llogarisim vetëm pikët dhe ndeshjet tona. Po tentojmë ta japim më të mirën në secilën ndeshje që ka mbetur”, tha Shala për Gazetën Infopress.

/