Feronikeli në Drenas, Besa në Pejë

Feronikeli e ka kryer fazën përgatitore në Shqipëri. Ekspedita e skuadrës nga Drenasi është kthyer sot në Kosovë.

Ekipi i trajnerit Gani Sejdiu, në Shqipëri zhvilloi edhe tri ndeshje miqësore. Mesfushori i kësaj skuadre, Behar Maliqi vlerëson se Feronikeli është përgatitur shumë mirë në Shqipëri. “Konsideroj se jemi përgatitur shumë mirë në këtë fazë. Çdo gjë ka shkuar mirë si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje miqësore”, deklaroi ‘bulduzheri’ Behar Maliqi për Gazetën ‘Olle’.

Në Pejë është kthyer edhe Besa. Për përgatitjet e ekipit nga Rrafshi i Dukagjinit (Besës) foli mbrojtësi Fidan Hasani. “Kjo fazë është shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht e mundimshme por, ne e kemi kaluar shumë mirë. Them se Besa është gati për pranverë”, vlerësoi lojtari ‘luftarak’, Fidan Hasani.

Edhe Besa e drejtuar nga Arbnor Morina, ka zhvilluar disa ndeshje miqësore, shumicën e tyre i ka fituar.