Feronikeli 74 po zhvillon një mini-fazë përgatitore në Bansko të Bullgarisë, duke shfrytëzuar pushimin e krijuar nga ndeshjet e ekipeve kombëtare.
Skuadra nga Drenasi udhëtoi drejt Bullgarisë dhe u akomodua në “Hotel Parklands”, ku do të qëndrojë deri më 10 shtator.
Gjatë kësaj periudhe, industrialistët do të luajnë një ndeshje miqësore kundër CSKA Sofias, një mundësi e rëndësishme për të testuar formën e lojtarëve dhe për të përmirësuar performancën e ekipit, shkruan Gazeta OLLE.
Ky pushim ka ardhur në momentin e duhur për Feronikelin, pasi Tigrat e Zi nuk e nisën sezonin në mënyrën më të mirë.
“Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kryesisë së klubit, u vendos për të bërë disa ndryshime të shpejta dhe të nevojshme për të përmirësuar situatën” thuhet në njoftimin e Niklit.
Nikli ndeshjen e ardhshme e luan në udhëtim te Gjilani, ku asnjëra skuadër nuk ka shijuar fitoren e parë sezonale.