Fenerbahce kërkon pezullimin e kampionatit

Në një komunikatë të publikuar në faqen e klubit turk, dënohet dhuna e ushtruar ndaj stafit, lojtarëve dhe drejtuesve.

Ngjarja e rëndë në Trabzbon ku u sulmua autobusi i Fenerbahçes dhe mbeti i plagosur shoferi i mjetit ka detyruar klubin nga Stambolli të kërkojë pezullimin e përkohshëm të kampionatit deri në përfundim të hetimeve. Në një komunikatë të publikuar në faqen e klubit turk, dënohet dhuna e ushtruar ndaj stafit, lojtarëve dhe drejtuesve. “Fenerbahçe propozon pezullimin e Superligës së Turqisë  deri në momentin që kjo ngjarje e errët të zbardhet përfundimisht. Kur gjaku fillon të derdhet ky është fundi i futbollit. Prioriteti jonë është gjetja dhe dënimi i fajtorëve të këtij akti”, shkruan klubi në komunikatën zyrtare.

Aktualisht, shoferi i autobusit ndodhet i shtruar në spital dhe sipas informacioneve, gjendja e tij është stabilizuar. Nga ana tjetër, policia bën me dije se nuk e ka ende plumbin që e plagosi. Fenerbahçe nuk do të zbresë në fushë të martë për ndeshjen e kupës dhe në takimin e radhës që do të luhet në 13 Prill kundër Bursasporit.