Federata e Volejbollit të Kosovës e zgjedh kryetarin

Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) duket se i ka zgjidhur problemet e brendshme. Pas shkarkimit të kryetarit të deritashëm, Xhavit Mustafa, nga pjesa dërrmuese e delegatëve, të pakënaqur me punën e tij, të hënën është zgjedhur kryesia e re e shtëpisë së volejbollit kosovar.

Në fakt, kryetar i ri i FVK-së është zgjedhur Abedin Ibrahimi. Ky i fundit e fitoi këtë post pasi mori 19 vota, duke e mposhtur Lulëzim Tafën, që siguroi një votë më pak, 18.

Pra, ishte një garë mjaft e ngushtë, të cilën në fund e fitoi përzgjedhësi aktual i Përfaqësueses së Kosovës në volejboll në konkurrencën e femrave. Ibrahimi, një punëtor shumëvjeçar i këtij sporti, ka premtuar se do të punojë me përkushtueshmëri dhe se objektiv i tij është që ta ndërkombëtarizojë këtë Federatë. Ndërkohë, u zgjodhën edhe strukturat e tjera udhëheqëse të FVK-së.