Federata e Basketbollit të Kosovës vjen me risi

Federata e Basketbollit të Kosovës përmes faqes zyrtare ka konfirmuar se do të mbajë kamp njëjavor për grupmoshat e reja.

“FBK-ja prej 4 deri më 10 prill do të organizoj kampin për grupmoshat U-12 dhe U-14 në të dyja konkurrencat. Kampi prej të hënës deri të premten do të zhvillohet në të njëjtën kohë në disa qytete të Kosovës, kurse të shtunën dhe të dielën kampi do të zhvendoset në Prishtinë”, thuhet në konfirmimin e FBK-së.

Është bërë e ditur se ky kamp do të përfshijë numër të madh të fëmijëve dhe do të organizohet me mbështetje të programit të FIBA-s, “Youth Development Camp”.

Kampi do të zhvillohet në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Gjilan, Gjakovë dhe Shtërpce për 5 ditë me radhë, ndërsa FBK u ka bërë thirrje fëmijëve të moshës 12 deri në 14 vjeç të paraqiten për t’u regjistruar në këtë kamp, që për qëllim e ka masovizimin e basketbollit ndër djem dhe vajza të kësaj grupmoshe.

“Udhëzimet për lajmërim të fëmijëve do t’i publikojmë të dielën. Gjatë këtyre 5 ditëve fëmijët do të stërvitin nga dy herë në ditë me trajnerët që punojnë me këto grupmosha, ndërsa të premten do të përzgjidhen fëmijët nga të gjitha qytetet e lartpërmendura për të vazhduar më pas me dy ditët e fundit që do të zhvillohen në Prishtinë”, ka thënë FBK.

Të shtunën dhe të dielën me fëmijët e përzgjedhur do të punojë koordinatori i FBK-së për gjenerata të reja, trajneri amerikan Chris Dial. Me këtë rast Dial së bashku me FBK-në do të fillojnë në ndërtimin e Përfaqësueseve U-14 në të dyja konkurrencat.

 

FBK pret që gjatë këtij kampi të përfshijë rreth 300-400 fëmijë, si dhe 16 trajnerë të të dyja gjinive.