Federata dhe trajneri i Norvegjisë thonë këto fjalë pas skandalit ndaj Kosovës

Edhe Federata e Futbollit e Norvegjisë është e vetëdijshme se fitorja prej 5:0 ndaj Kosovës U-21 i është shndërruar në humbje prej 0:3 në tavolinë, e cila mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë në rrugëtimin drejt kualifikimit në “Euro 2019”.

Analistët thonë se me këtë humbje Norvegjia do ta ketë shumë problem të shkojë në “Euro 2019” kur dihet se në grupin kualifikues përpos Kosovës dhe Azerbajxhanit i ka edhe konkurrentët e mëdhenj si Irlandën, Izraelin e mbi të gjitha Gjermaninë superiore.

“Ne shprehim keqardhje për lëshimin që kemi bërë dhe jemi të shqetësuar. Ky është një dështim serioz i yni. Ne do ta mësojmë se si ka ardhur deri te ky gabim. Do ta gjejmë edhe fajtorin. Do të bëjmë edhe ndryshim vetëm e vetëm që kjo të mos përsëritet më. U kërkojmë ndjesë lojtarëve tanë, të cilët në fushë dhanë më të mirën, e po ashtu tifozëve”, thuhet në një deklaratë të federatës norvegjeze.

Norvegjezët flasin për fitoren e Kosovës në tavolinë kundër

Gazeta Zëri shkruan se i shokuar ka mbetur edhe selektori i Norvegjisë U-21, Leif Gunnar Smerud. “Fatkeqësisht kjo ka ndodhur. Gjëra të paparashikueshme mund të ndodhin siç mund të ndodhin edhe gabimet njerëzore. Por, duhet të jemi krenar me shpirtin luftarak të djemve tanë. Tani do ta kemi problem vendin e parë, por nuk do të dorëzohemi, sidomos nga ‘Play-Off-i’”, ka theksuar ai.

I zhgënjyer ishte edhe futbollisti, Kristoffer Ajer, protagonisti i krejt këtij rasti, i cili nga mediat norvegjeze u konsiderua skandal i madh.

“Unë ende mendoj që kisha të drejtë loje. Por kjo që ka ndodhur është zhgënjyese për mua dhe ekipin, sidomos pas vasal loje të mirë që e aplikuam dhe e fituam kundër Kosovës. Kjo mënyrë e humbjes dhemb shumë. Por, ne duhet të shikojmë përpara, duhet të kërkojmë fitore në ndeshjet tjera që ta kompensojmë edhe këtë humbje”, ka thënë ai.