FC Shkupi në bisedime me një sulmues nga Kosova

Skuadra e FC Shkupit po vazhdon që të stërvitet në Antalia, që sezonin pranverorë të vazhdojë garën për titullin kampion, ndërsa përballë ka një rival mjaft të fortë sikurse është ekipi i Shkëndijës së Tetovës.

Në një intervistë për gazetën portalin “koha.net”, ka folur drejtori sportive i Shkupit, Omer Bunjaku, i cili ka folur për ndryshimet në klub, ardhjen e sponsorit turk, paraqitjet e fundit në arenën ndërkombëtare, e mes tjerash ka thënë se ekipi vazhdon të kërkojë përforcim, ndërsa edhe Kosova është treg që studiohet vazhdimisht nga drejtuesit e Shkupit.

“Po, kemi pasur lojtarë nga Kosova edhe shumë më herët, por edhe kohët e fundit. Në këtë afat jemi në bisedime me një sulmues nga Kosova. Me klubin jemi pajtuar, por mbesin disa çështje që të zyrtarizohet kalimi”, ka theksuar drejtuesi i klubit shkupjan.

Aktualisht skuadra e Shkupit po përgatitet në Antalia, ndërsa ndeshjen e parë kontrolluese pritet ta zhvillojë me 26 janar, kur përballë do të ketë ekipin e dytë të Zenitit nga Shën Petersburgu.