Për klubin më të suksesshëm shqiptar të diasporës, FC Kosovën e Cyrihut, është shkruar e raportuar vazhdimisht nga mediat në gjuhën shqipe. Një vëmendje të konsiderueshme FC Kosova ka marrë edhe nga mediat e mëdha e prestigjioze të Zvicrës.
Kurse platforma mediale albinfo.ch është një nga promovuesit e rregullt të angazhimit të FC Kosovës dhe në përgjithësi, të diasporës shqiptare në Zvicër.
Duke parë sukseset dhe angazhimin kolektiv të shqiptarëve të suksesshëm të Cyrihut që janë bashkuar rreth Klubit Futbollistik “FC Kosova” me një kryesi të përberë me emra të njohur të jetës publike e sportive në Zvicër, redaksia e platformës online dhe print, albinfo.ch, ka përzgjedhur FC Kosovën si personalitetin e vitit 2021 për sport.
Kryesia e FC Kosova, Cyrih
“FC Kosova” e Cyrihut ka 10 ekipe futbollistike që garojnë në federatën e futbollit zviceran
C Kosova është i vetmi klub shqiptar me prejardhje migrante në Zvicër që garon në ligën e parë zvicerane. Është më shumë se një ekip futbolli. FC Kosova është një familje e dytë dhe pjesë e identitetit të anëtarëve dhe fansave të saj. Të shumtë janë tifozët që marrin pjesë në çdo ndeshje me daulle dhe flamuj, duke treguar se janë krenarë për djemtë e ekipit të futbollit që përfaqëson Kosovën. Klubi ka lënë gjurmë në Zvicër për vite me radhë, me numrin më të madh të shikuesve në ligën ku garon. Në këtë verë kanë kaluar 25 vjet nga themelimi i shoqatës shqiptare, e cila ka mbijetuar nëpër periudha dhe përballë sfidave të ndryshme.
FC Kosova Cyrih ekziston që nga viti 1994. Përveç sukseseve sportive, sukses tjetër është se deri më tani ka mbledhur shumë të rinj nga të gjitha trevat shqiptare. Filloi me një ekip në ligën më të ulët të futbollit zviceran dhe pas me tepër se dy dekadash pune ka dhjetë ekipe të të gjitha grupmoshave, me mbi 200 lojtarë të rregullt. Krenaria e veshjes së fanellave kuq e zi është e dukshme tek çdo lojtar, junior dhe senior.
Liga e parë, suksesi më i madh i FC Kosovës
Suksesi më i madh në historinë e klubit është kalimi në Ligën e Parë të Zvicrës, në sezonin 2015-2016 me çfarë u bë klubi i parë i emigrantëve që ka arritur diçka të tillë. Sukses i madh është pastaj kualifikimi në raundin kryesor të Kupës së Zvicrës, pjesëmarrja e dyfishtë në finale në garën e kupës rajonale si dhe fitimi i Kupës së Federatës së Futbollit të Cyrihut të Seniorëve. Suksesi i radhës ishin garat e kupës, ku u përball me klube si Basel, Young Boys, Grasshopper, Zurich etj.
Kush janë drejtuesit e FC Kosovës
Pas një periudhe të gjatë të drejtimit të suksesshëm të klubit nga afaristi Arsim Hyseni dhe me kontributin e çmueshëm të trajnerit Enver Osmani, kryesia e re përbëhet pothuajse tërësisht me emra të rinj – shqiptarë të gjeneratës së dytë, që kanë krijuar karrierën e tyre profesionale në profesione me peshë në ngritjen dhe zhvillimin e një shoqërie.
Albinfo.ch sjell portretet e anëtarëve të kryesisë së FC Kosovës, në mënyrë që të njiheni nga afër me angazhimet në klub dhe në jetën e tyre profesionale.
Kryetar i FC Kosovës, bankieri, Nesret Limani
Bankier i suksesshëm, punon në bankën e njohur zvicerane, Credit Suisse. Ai është njohës ekselent i futbollit dhe ka lidhje të ngushta me shumë drejtues futbolli të klubeve të mëdha zvicerane. Nesreti ka luajtur gjashtë vite në Challenge League (Liga e dytë zvicerane) dhe po e ngre klubin bashkë me anëtarët e tjerë të kryesisë në një nivel tjetër të organizimit të shqiptarëve të Zvicrës.
“Vendosmëria dhe vetëbesimi, më kanë dalluar gjithmonë. Ambicia ime më ka ndihmuar gjithmonë në sport dhe në jetë. Përveç punës që e bëj si bankier në bankën Credi Suisse me orar të plotë, jam baba i dy djemve dhe prej dy vitesh president i FC Kosovës. Me angazhimin tim dua tu tregoj njerëzve se dallimin mund ta bëjmë vetëm si të bashkuar.
Unë gjithmonë dhe në çdo situatë përpiqem të nxjerr me të mirën bashkë me kryesinë, sponsorët, juniorët dhe seniorët e klubit “FC Kosova”. Kështu ne po shtrijmë suksesin tonë në një platformë të suksesshme dhe profesionale për të gjithë bashkatdhetarët e simpatizantët tanë që na përkrahin në këtë rrugëtim dhe gjithsesi një falënderim i madh u takon të gjithë atyre që na ndihmojnë çdo ditë e në çdo lojë”, shprehet presidenti 36 vjeçar i lindur e rritur në Zvicër, i cili është me prejardhje nga fshati Breznicë, Lugina e Preshevës.
Përgjegjës për Premium Club, bankieri, Kushtrim Dërmaku
“Anash të gjitha angazhimeve të mia familjare si bashkëshort dhe baba i dy femijëve, por edhe angazhimit profesional si Senior Account Manager në bankën UBS, FC Kosova Zürich tek unë ka vendin dhe vëmendjen e veçantë” thotë Kushtrim Dermaku i lindur dhe i rritur në Gjilan. “Kur jam ftuar t`i bashkangjitem kryesisë në vitin 2020, për mua ka qenë një nder i jashtëzakonshëm por edhe një përgjegjësi e madhe, meqë nuk bëhej fjalë për një klub të ri po për një klub artefakt e me histori të gjatë e të ndritshme. Vizioni, eksperienca profesionale, kultura e punës dhe vigjilenca e secilit prej nesh ka mundësuar një riorganizim rigoroz dhe përparim të jashtëzakonshëm të FC Kosovës në një afat të shkurtër kohor duke e bërë atë një brend dhe platformë të pazëvendësueshme bashkëpunimi për sportistë, por edhe për afaristë të shquar të komunitetit shqiptar dhe zviceran”, shprehet 36 vjeçari Dermaku, përgjegjësi për Premium Club.
Adnan Ismajli- veteran i FC Kosovës, 26 vite shërbim
Gjilanasi Adnan Ismajli i takon gjeneratës së parë të klubit FC Kosova. Prej vitit 1995 është aktiv në klubin FC Kosova, fillimisht si futbollist dhe prej vitit 2018 është i angazhuar edhe në kryesi të klubit me detyrën përgjegjës i organizimit të lojës së ekipit të parë. Ai asnjëherë nuk i ka kthyer shpinen klubit dhe për të Kosova është shtëpia e dytë. Për këtë ai është mirënjohës familjes që i ka dhënë mbështetje në tërë këto vite angazhim.
“Për mua klubi FC Kosova është familja e dytë. Unë falënderoj sponsorët që përkrahin klubin tonë dhe një respekt të veçantë kam për veteranët që ndihmojnë rregullisht në çdo ndeshje e event të klubit, por mbi gjitha kam kënaqësinë të jem pjesë e kryesisë me në krye Nesin që punon ditë e natë për FC Kosovën”, shprehet gjilanasi.
Sekretar i klubit, juristi, Orhan Spahiu
Komunikimi zyrtar me Federatën e Futbollit dhe komunën kalon përmes skanerit të juristit, Orhan Spahiu. Orhani është koka ligjore e klubit. Ai ka mbaruar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Cyrihut në vitin 2011 dhe që nga viti 2012 punon në një zyrë ligjore. Është i martuar, ka 2 fëmijë. Orhan Spahiu është i angazhuar edhe në disa shoqata tjera humanitare për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Zvicër. Po ashtu është anëtar i kryesisë së Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës. Pasion ka futbollin dhe Ping-Pongun.
Përgjegjës i juniorëve, ekspert i sigurimeve shëndetësore, Ilir Morina
Iliri ka 22 vite që është anëtar i FC Kosovës dhe konsiderohet si zemra e klubit, sidomos në sektorin e juniorëve. Iliri ka emigruar në Zvicër në moshën 14 vjeçare dhe vjen nga komuna e Kamenicës. Ai është baba i dy fëmijëve dhe punon në kompaninë e sigurimeve CSS, si ekspert i sigurimeve shëndetësore.
“Futbollin e kam si pasion dhe në moshë të re kam filluar të luaj futboll. Kurse prej vitit 1999 jam anëtar i FC Kosova Zürich. Në atë kohë kam qenë lojtar i ekipit të parë dhe kam kaluar në të gjitha kategoritë e klubit tonë. Prej vitit 2014 jam anëtar i kryesisë së FC Kosovës, përgjegjës i juniorëve.
Fëmijët më motivojnë të punoj edhe më shumë për ngritjen e cilësisë së klubit. Ata janë e ardhmja jonë dhe ne synojmë të nxjerrim lojtar që nesër mund të na përfaqësojnë edhe në reprezentacione” thotë përgjegjësi i shtatë ekipeve të juniorëve, Ilir Morina.
Përgjegjës i financave, eksperti i sigurimeve private dhe të bizneseve, Fiton Bunjaku
Fitoni ka 15 vite që është i angazhuar në klubin futbollistik Kosova dhe njihet si një djalë fjalëpakë që angazhohet me përkushtim për sigurimin e financave për klubin.
“Prej 2006 në klub te FC Kosovës, fillimisht si lojtar në ekipin e parë e tani tek seniorët. Në kryesi jam përgjegjës kryesor për financat”. Fitoni ka lindur dhe është shkolluar në Zvicër. Ai i punon si këshilltar për klientë privat dhe të bizneseve (Privat- und Firmenkundenberater) në kompaninë e sigurimit Zurich.
Urë ndërlidhëse me institucione dhe kryetar i Business Club-it, Përparim Avdili
Deputeti në Asamblenë e qytetit Cyrih është bankier me profesion. Përparimi angazhohet për një bashkëpunim sa më të mirë të klubit FC Kosova me klubet tjera futbollistike, me medie e zyrtarë politikë. Angazhimi i tij është i fokusar po ashtu në sigurimin e të ardhura të klubit, ku mban kontakte të ngushta me sponzorë për të siguruar vazhdimësinë e sukseseve të klubit FC Kosova.