FBK merr vendimin e ri pas trazirave në finalen e Superkupës

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 15.12.2022 në Prishtinë e ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin kosovar të krijuar së fundi në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës në mes KB Sigal Prishtina dhe KB Trepça, dhe ka vendosur që masat që kërkohet të zbatohen me përpikëri nga organet e FBK në vijim të garave janë:

Të kufizohet numri i ulëseve në terren, në varësi të konfigurimit të palestrës, për të garantuar moscenimin e terrenit nga publiku i pranishëm;

Të mos lejohet pengimi i pjesëmarrësve të ndeshjes nga publiku i pranishëm përreth terrenit të lojës;

Të shtohen masat e sigurisë dhe kontrollet për publikun, duke ndaluar futjen e çfarëdo mjeti që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve dhe shikuesve;

Të emërohet një komesar i sigurisë për çdo ndeshje, i cili do të garantojë mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe organizimit;

Para secilës ndeshje, organizatori të paraqesë planin e sigurisë me shkrim tek Komesari i Garave, i cili të njëjtin ia përcjell tutje delegatit të ndeshjes, gjyqtarit kryesor dhe komesarit të sigurisë;

Të zbatohen me përpikëri Propozicionet e Garave dhe Rregullorja e Garave të FBK, duke garantuar, mes tjerash:

6.1 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë ndalesën e sharjeve në kor;

6.2 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë hedhjet në terren, përfshirë edhe hedhjen e mjeteve të cilat nuk rrezikojnë jetën apo shëndetin e pjesëmarrësve;

6.3 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë intonimin e himnit shtetëror;

6.4 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë garantimin e sigurisë në terren, përfshirë rastet e mospërputhjes së veprimit të organizatorit në pajtim me ligjet e zbatueshme dhe planin e sigurisë;

FBK dhe klubet të organizojnë fushatë të përbashkët vetëdijesuese për pasojat e veprimit në kundërshtim me propozicionet e garave.

FBK dhe klubet të organizojnë xhirimin e keqsjelljes së personave të pranishëm në terren dhe të koordinohet ndarja e imazheve me organet e ndjekjes dhe zbatimit të ligjit.

Të vazhdojë ndalesa e udhëtimit të tifozerive mysafire për të gjitha aktivitet sportive të organizuara nën ombrellën e FBK-së.

Organizimi i Kupës së Kosovës të bëhet pa spektatorë.

Ndalohet rreptësishtë shitja dhe konsumi i pijeve alkoolike konform Ligjit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.

Gjithashtu Bordi i FBK-së zotohet se do t’i zbatojë në përpikëri rekomandimet e Këshillit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive:

Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër;

Kërkohet nga të gjitha grupet e tifozëve të cilët deri më tani nuk janë regjistruar tek Departamenti i Organizatave Joqeveritare (DOJQ) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ta bëjnë këtë gjë në afatin më të shkurtër kohor, dhe pas regjistrimit ta deponojnë listën me emrat e kryesisë dhe emrat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të OJQ-së tek Drejtoria për Sport e Komunës përkatëse;

Kërkohet nga Federata e Basketbollit të Kosovës që të aplikojë me rigorozitetin maksimal të gjitha dispozitat normative përkatëse që janë në kuadër të Propozicioneve të Garave të FBK-së.

Kërkohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që ta përfshijë në planifikimin buxhetor për vitin 2023 vendosjen e sistemit të kamerave të sigurisë në të gjitha palestrat sportive, ndërsa në vazhdim të procesit vendosja e kamerave të sigurisë të bëhet edhe në të gjitha stadiumet e futbollit.

Ballkani vihet pas dyshes së Gjilanit, gjithçka varet nga fati i klubit

Szymon Marciniak, do të gjykojë finalen e madhe për Kupën e Botës