FBK-ja ndihmon klubet e Superligës me nga 600 euro

Federata e Basketbollit të Kosovës ka konfirmuar se do të ndihmojë klubet e Superligës dhe Ligës së Femrave me nga 600 euro. 

Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së Bordit të FB-së të mbajtur gjatë ditës së djeshme.

“Bordi u informua për situatën aktuale financiare në FBK dhe shkallën e zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me MKRS-në. Bordi vendosi që të ndihmojë financiarisht klubet e Superligës dhe Ligës së Femrave me shumën prej 600,00 Eurosh për secilin klub që ofron dëshmi për shpenzimet e bëra në këtë shumë deri të enjten, më 24.12.2015 në ora 16:00. Detajet për kushtet e transferimit të këtyre mjeteve klubeve do t’u dërgohen më 22.12.2015”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Gjatë kësaj mbledhje është themeluar edhe Komiteti Ekzekutiv i FBK-së, që përbëhet nga Erolld Belegu (kryetar), Leart Hoxha (sekretar i përgjithshëm), dhe anëtarët e Bordit që janë Arben Fetahu dhe Valton Bilalli.

Gjithashtu është analizuar dhe miratuar Plani i Punës dhe Plani Financiar për vitin 2016.

Kurse për planet dhe strukturimin Përfaqësueses A të Kosovës, përfshirë negociatat me kandidatët për Përfaqësuese dhe u dakordua që “publikimi i përbërjes së shtabit teknik të bëhet pas datës 22 janar 2016, kurse selektori/menaxheri i Përfaqësueses A të fillojë zyrtarisht punën më 01 shkurt 2016”.

“Bordi për organizimin e Klinikës së FIBA-s për gjyqtarë perspektivë në muajin shkurt vendosi që gjyqtarët kosovarë që do të marrin pjesë në Klinikë të nominohen dhe të dërgohen për miratim të FIBA-s pas testimit fizik dhe teorik, të paraparë për datën 09.01.2016”, thuhet në njoftim.