Fazliu: Emitoj “Stupcat”, ja atmosfera te Partizani

Astrit Fazliu është njohur në Kosovë si një futbollist shakaxhi dhe që e ndez atmosferën, derisa një epitet të tillë iu është veshur edhe në aventurën e kuqe te Partizani.

Ditë më parë kapiteni Nderim Nexhipi deklaroi që Fazliu është futbollisti më humorist në kampin tiranas, por pse? Këtë e tregon vetë ferizajasi për gazetën.

“Kemi një atmosferë shumë të mirë. Unë gjithmonë mundohem ta ndreqi atë. I emitoj humoristët kosovar “Stupcat” dhe kjo i çmend lojtarët tjerë që qeshin shumë me humoret e tyre”, deklaroi Fazliu për Gazetaolle.com.

Fazliu apo Fazlliu? Te ne në Kosovë është ajo e para, por në Shqipëri po e përdorin atë të dytën, duke e bërë ‘l’-në ‘ll’. “Në fillim të gjithë më thirrnin Fazlliu, por me kalimin e kohës po më thirrin ashtu siç duhet, Fazliu. Për mua nuk përbën ndonjë problem, është interesante”, shtoi ‘Therra’.

Në fund s’mund të mungonte një koment për derbin e fituar ndaj Tiranës. “Fitorja në derbi është një ndjenjë që nuk përshkruhet. Është një ndeshje që nuk harrohet. Vetëm ata që luajnë mund ta kuptojnë. Jemi në garë për titull dhe besoj që në fund do t’ia dalim”, përfundoi ish-sulmuesi i Ferizajt dhe Prishtinës.

Ai është bërë në një futbollist të rëndësishëm për “të kuqtë” dhe trajneri Shpëtim Duro po ia shpërblen mundin dhe paraqitjet pozitive me një minutazhë jo  të vogël. /Gazeta Olle