Skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll janë duke i vazhduar stërvitjet në kuadër të fazës përgatitore.
Nga dhjetë skuadra që janë pjesë e Superligës, tetë klube tashmë veçse ndodhen në tokën turke, kurse vetëm dy skuadra nuk kanë preferuar Turqinë (Drenica dhe Feronikeli), shkruan Gazeta Enigma.
Gjilani, Drita, Ballkani, Llapi, Prishtina, Malisheva, Ulpiana dhe Dukagjini gjenden aktualisht në Turqi ku priten të jenë për rreth dy javë, por ka edhe ekipe sikurse Prishtina e cila këtë here do të qëndrojë 17 ditë.
Klubet kosovare janë akomoduar në hotele mjaftë luksoze në Antalia të cilat ofrojnë kushte të mrekullueshme për punë, por edhe mundësi të shumta për t’u përballur me kundërshtarë të ndryshëm në ndeshjet kontrolluese.
Gjithashtu, edhe shpenzimet janë të mëdha për “xhepat” e pronarëve. Aktualisht në muajin janar nata për një person kushton mesatarisht 75 euro.
Mesatarja e personave që udhëtojnë me një klub është 40 dhe kjo i bije se një klub për një natë i shpenzon rreth 3000 euro. Kurse, për qëndrimin dyjavorë klubit i bije t’i harxhojë hiç më pak se 42000 euro.
Në total shpenzimi i gjithë klubeve të cilat kanë marrë rrugën e Turqisë shkon mbi 300 mijë euro.