FASK-u para një edicioni shumë intensiv

Garuesit tanë do të paraqiten në 17 gara (14 vendore dhe 3 ndërkombëtare), numër ky të cilin e lakmojnë edhe vendet me automobilizëm shumë të zhvilluar

Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) gjendet në prag të fillimit të edicionit të ri, i cili pa asnjë dyshim do të jetë me aktivitete të ngjeshura si kurrë më parë në historinë e këtij sporti në vendin tonë.
Garuesit tanë do të paraqiten në 17 gara (14 vendore dhe 3 ndërkombëtare), numër ky të cilin e lakmojnë edhe vendet me automobilizëm shumë të zhvilluar.
Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, shprehet optimist se edicioni i ri do të jetë atraktiv, ndërsa edhe në rrafshin ndërkombëtar pret paraqitje të mira të garuesve tanë. “FASK-u i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e edicionit të ri. E kemi hartuar kalendarin e garave dhe e kemi harmonizuar rregulloren në përputhje me rregullat e FIA-s. Presim të kemi një kampionat atraktiv për dashamirët e auto sportit”, ka thënë Rexhepi.
Bazuar në rezultatet e arritura në vitin e kaluar, në Buzet e Llovçen, kur garuesit tanë u paraqitën në cilësinë e mysafirëve, numri një i FASK-ut beson që edhe sivjet rezultatet nuk do të mungojnë. “Pas pranimit të FASK-ut në FIA, garuesit tanë do të paraqiten të barabartë me garuesit nga të gjitha vendet tjera. Ne do të marrim pjesë të tri gara ndërkombëtare: në Kotor, Ilirska Bistrica dhe Buzet. Sigurisht që do të kemi edhe garues nga vendet tjera që do të marrin pjesë në garat tona. Duke marrë parasysh cilësinë dhe përgatitjet e automobilistëve tanë, unë jam optimist se do të kemi paraqitje shumë të mira edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka shtuar Rexhepi.
Në ndërkohë, kryetari i FASK-ut do të jetë edhe pjesëmarrës i mbledhjes së parë të Bordit të FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore) për vitin 2016. Në këtë zonë përfshihen: Shqipëria, Austria, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Çekia, Hungaria, Italia, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Serbia, Sllovenia dhe Sllovakia, ndërsa që nga 8 prilli do të jetë edhe Kosova. “Sipas procedurave ne është dashur të aplikojmë edhe për pranim në FIA CEZ dhe ky formalitet do të kryhet në mbledhjen e Bordit, e cila do të mbahet më 8 prill në Tiranë“, ka bërë të ditur Rexhepi.
Kampionati i sivjetmë i Kosovës fillon me 24 prill, me garën e disiplinës rrethore, e cila do të zhvillohet në Gjakovë. FASK-u edhe sivjet do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante me synimin që kampionati të zhvillohet në mnyrën më të mirë të mundshme.
Kalendari:
24 prill (rrethore) – Gjakovë
7-8 maj (malore) – Prevallë
22 maj (karting) – Mitrovicë
28-29 maj (ndërkombëtare) – Kotor
11-12 qershor (malore) – Grashticë
18-19 qershor (rrethore) – Prizren
2-3 korrik (malore) – Brezovicë
16-17 korrik (malore) – Shalë
24 korrik (sllallom/femrat) – Prishtinë
31 korrik (rrethore) – Ferizaj
6-7 gusht (drag) – Aeroport
20-21 gusht (malore) Zym
3-4 shtator (ndërkombëtare) – Ilirska Bistrica
17-18 shtator (ndërkombëtare) – Buzet
25 shtator (karting) – Pejë
1-2 tetor (malore) – Kullë
16 tetor (rrethore) – Rruga B/Prishtinë