Ernest Muci, pjesë e Shqipërisë në Euro 2024

Ernest Muçi do të jetë pjesë e listës së Sylvinhos për Euro 2024. Edhe pse trajneri i kombëtares kuqezi do të prezantojë të hënën (16:00) listën e lojtarëve që do të grumbullojë në Gjermani, klubi i Besiktasit ka bërë me dije se sulmuesi i talentuar ka marrë ftesën për të qenë pjesë e Shqipërisë, së paku në grumbullimin paraprak.

Në sajtin zyrtar të bardhezinjve nga Stambolli është prezantuar lista e lojtarëve që do të angazhohen me përfaqësueset e tyre gjatë verës, e mes tyre rezulton dhe Ernest Muçi.

Kujtojmë se në fillimin e këtij vitit, Besiktasi shpenzoi plot 10 milionë euro për të blerë kartonin e 23-vjeçarit nga polakët e Legias. Muçi është përshtatur shpejt në Turqi.

Në kampionat ka shënuar 3 gola në 13 ndeshje, ndërkohë që e gjeti rrugën e rrjetës dhe një herë në Kupën e Turqisë, në 4 prezencat e tij. Duke realizuar golin vendimtar që kualifikoi Besiktasin në finale. Sulmuesi ia doli që bashkë me skuadrën e tij të fitonte dhe trofeun e Kupës pak ditë më parë.

Me shumë interes pritet lista e trajnerit Sylvinho, teksa kanë nisur të zbulohen emrat e parë që pritet të jenë pjesë e saj. Krahas Muçit që u zyrtarizua nga klubi turk, në kryeqytet kanë mbërritur dhe Jasir Asani e Armando Broja. Sinjale që me shumë gjasa do të vihen nën urdhrat e stafit teknik për ndeshjet e muajit të ardhshëm.

Shqipëria do të përfaqësohet nga 26 futbollistë në Europian. Lojtarët fillimisht do të grumbullohen në Shqipëri e më pas në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë.

Kombëtarja do të zhvillojë dy takime miqësore përpara nisjes së turneut. Kundër Lihtenshtejnit (3 qershor, 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor, 19:00), në “Haladas Sportkomplexum”.

Në datën 8 qershor kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku do të zhvillojnë përgatitjet për finalet e Europianit, në kampin bazë në SportCentrum Kaiserau. Në afërsi të Dortmundit.

Kombëtarja kuqezi do të debutojë në finalet e Europianit në datën 15 qershor. Kundër Italisë, duel që do të nisë në orën 21:00, në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Katër ditë më pas sfida përballë Kroacisë në “Volksparkstadion” (15:00) të Hamburgut dhe ndaj Spanjës në datën 24 qershor në “Merkur Spiel-Arena” (21:00), Dusseldorf.

Muriqi e përfundon sezonin me gol

Vazhdimet përcaktojnë fituesin e ndeshjes Dinamo – Prishtina e Re