Ermir Lenjani “kërcënon” Etrit Berishën

Dashuria për atdheun është një ndjenjë e veçantë që e përcjell gjithmonë me vete. Madje, e shfaq atë kudo, pavarësisht vendit apo njerëzve. Bëhet fjalë për Ermir Lenjanin, i cili aktualisht aktivizohet me ekipin francez Rennes në rolin e mbrojtësit.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, lojtari i Kombëtares shqiptare tregon “prapaskenat” e himnit, kartonit të kuq dhe mikpritjes franceze. Ndër të tjera, Lenjani rrëfen ndjenjën e veçantë për fanellën kuqezi, për të cilën thotë se do pranonte të luante dhe në pozicionin e Etrit Berishës apo Sokol Cikalleshit.

 

Si po ndiheni te Rennes? Jeni ambientuar me ekipin?

Ndihem mirë, pavarësisht faktit se kam ardhur në një kohë të papërshtatshme, pasi klubi është në krizë të rezultateve. Por unë si Ermir ndihem mirë në klub dhe në qytet. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi dhe besoj që do t’u kthehemi shumë shpejt rezultateve pozitive.

 

Si është marrëdhënia me trajnerin?

Marrëdhëniet janë shumë të mira, profesionale, si trajner-futbollist. Realisht më kanë mirëpritur të gjithë në klub, duke filluar nga stafi teknik po ashtu edhe bashkëlojtarët e tifozët. Mikpritja e tyre më ka ndihmuar që të ndihem komod dhe të ambientohen më shpejt seç mund të mendoja.

 

Si komunikoni me shokët e skuadrës? Flisni frëngjisht?

Zakonisht flas në gjuhën angleze dhe gjermane, pasi janë 2-3 lojtarë në skuadër që komunikojnë gjermanisht. Gjithsesi, kam filluar ta mësoj edhe gjuhën franceze, pasi më nevojitet të bisedoj edhe më mirë me shokët në skuadër, por edhe në qytet.

 

Debutuat me karton të kuq, si u ndiet?

Kartoni i kuq i marrë ndaj Bastias ishte i dyti në karrierën time. Të parin e kam marrë kur isha në Vinterthur. Natyrisht asnjë lojtar nuk ndihet mirë kur ndëshkohet me karton të kuq. Sidomos kur penalizohet me të padrejtë, atëherë ndihesh dyfish “jo mirë”. Ishte një vendim jo korrekt nga gjyqtari, realisht nuk e meritova, më shumë u lëndova vetë, por ç’t’i bësh, kështu është futbolli. U dëshpërova në atë çast por e kam harruar pasi shikoj vetëm përpara.

 

Humbët një ndeshje me rëndësi, përballja me Ibrahimoviçin, PSG-në…

Po, nuk kam luajtur pasi isha i lënduar. Por, kam luajtur ndaj skuadrës më të madhe franceze, Marsejës, ku u aktivizova për 20 minuta. Bëra një paraqitje të mirë dhe me më shumë fat do të kisha shënuar golin e fitores.

 

De Biazi ju aktivizon si mesfushor, Montainer si mbrojtës, në cilin pozicion ndiheni më mirë?

Së pari, e rëndësishme për mua është që të luaj pavarësisht në cilin pozicion. Pastaj kur bëhet fjalë për Kombëtaren, unë luaj në të gjithë pozicionet. Madje dhe sikur trajneri të më kërkojë të futem në portë në vend të Etritit (Berishës) do ta bëj pa u menduar, apo në sulm në vend të Cikalleshit (qesh). Rëndësi ka që ta ndihmoj Shqipërinë në çfarëdo roli që më jepet mundësia. Gjithmonë do të jem i gatshëm për të gjitha pozitat që më kërkohen dhe do të jap 200% nga vetja ime për fanellën që kam veshur, kuqezi.

 

Së fundmi, përse zgjodhët të këndonit pikërisht himnin kombëtar dhe jo një këngë tjetër para ekipit?

Sepse jam shqiptar! Jam shqiptar dhe krenohem me këtë fakt. Në momentin që m’u kërkua të dilja para tyre për të kënduar një këngë, në mendje nuk kisha tjetër përveç himnit. Gjithmonë në momente të tilla zgjedh zemra dhe jo mendja. Natyrisht këngë më të bukur për mua nuk ka përveç himnit dhe atë këndova. Kudo që kam shkuar, kam treguar për prejardhjen time me krenari të madhe. Himni kombëtar është i shenjtë dhe është detyrë e gjithsecilit ta këndojë e mos ta harrojë ngado që të shkojë.