Erinda Bajrakurtaj, një kapitene seksi për Vllazninë

Të merresh me futboll në Shkodër është diçka e zakontë për të gjithë. Jo më kot Vllaznia është dalluar si një nga skuadrat që prodhon më shumë talente në futbollin shqiptar, pasi aty njerëzit e duan shumë këtë sport.

Vitet e fundit nuk kanë qenë dhe aq të mira, por mangësinë që ka lënë ekipi i meshkujve e ka zëvendësuar skuadra e femrave, pasi ky ekip po sundon bindshëm në futbollin shqiptar në këtë kategori.

Erida Bajrakurtaj është kapitenia e vajzave te Vllaznia dhe një nga lojtaret më të dalluara të këtij ekipi. Gjatë një interviste speciale për “Panorama Sport” ajo ka “zhveshur” uniformën e sportit dhe ka rrëfyer të gjitha pasionet e saj që e lidhin me jetën jashtë futbollit.

Për dikë që nuk ju njeh, kush është Erida Bajrakurtaj?

Një vajzë e thjeshtë, nga qyteti i Shkodrës, që studion për edukim fizik. Gjithashtu është futbolliste e ekipit të Vllaznisë, si dhe e ekipit kombëtar shqiptar. Me saktë, Erida është një vajzë e lidhur me sportin dhe që ka pasion kryesisht futbollin.

Si kanë qenë hapat e para drejt rrugës së futbollit?

Me futboll kam filluar të merrem që në moshën 14- vjeçare, pasi po luaja me shokët e klasës në shkollë. Mësuesja ime e fizkulturës më pa dhe më sugjeroi që të luaja për një ekip këtu në Shkodër, i cili quhet The Door. Aty luajta vetëm një vit. Në atë kohë ishte ekipi i parë në Shkodër për femra, por më pas u hap edhe ekipi i Adës së Velipojës, ku kalova dhe arritëm të merrnin për 3 vjet resht kampionatin. Më pas ekipi mori emrin Vllaznia, ashtu si skuadra e meshkujve dhe përsëri dominojmë prej vitesh në Shqipëri si ekip kampion.

rA jeni e kënaqur me profesionin tuaj?

Normalisht që jam shumë e kënaqur me profesionin që kam. Kjo jo se kam ndonjë përfitim të madh financiar, porse pasioni dhe kënaqësia që më jep ky profesion janë të papërshkrueshme.

Keni hasur paragjykime?

Në Shqipëri çdo vajzë që merret me sport është e paragjykuar, sidomos me një sport siç është futbolli. Megjithatë, dëshira e madhe më ka bërë që të vazhdoj përpara. Dua të them se kam pasur gjithmonë përkrahjen e familjes sime, sidomos babai, i cili më ka qëndruar pranë dhe falë tij unë kam arritur kaq lart.

Ju përfaqësoni edhe fanellën e Kombëtares. Çdo të thotë kjo për ju?

Të përfaqësosh ngjyrat e shtetit tënd, është kënaqësia më e madhe dhe arritja më e madhe për çdo sportist. Edhe unë jam shumë krenare që e kam arritur këtë gjë.

erJu pengon futbolli për t’ju përkushtuar më tepër jetës private?

Jo, aspak. Futbolli nuk më pengon që të kem edhe unë jetën time private, pasi di sesi ta ndaj kohën për sport dhe kohë të lirë.

Çfarë bën Erida tjetër përveç futbollit?

Siç e përmenda edhe më lart, përveç futbollit vazhdoj Universitetin e Sporteve. Gjithashtu jam e angazhuar si instruktore në një palestër këtu në Shkodër, duke ndihmuar shumë vajza që kanë pasion sportin. Një gjë tjetër që më pëlqen shumë është që të shikoj filma dhe të dëgjoj muzikë.

A jeni e dashuruar? Nëse po, çfarë mendimi ka partneri për profesionin tuaj?

Jo, nuk jam e dashuruar për momentin, pasi nuk kam arritur akoma të gjej mashkullin ideal.

Si është për ju mashkulli ideal?

Mashkulli ideal për mua duhet të jetë i sinqertë dhe me një karakter të fortë. Gjithashtu, të jetë besnik dhe i aftë për ta drejtuar si duhet jetën e tij.

Duhet të jetë futbollist?

Në fakt, do të më pëlqente shumë që të ishte i lidhur me sportin, pasi mund të kuptoheshim më mirë. Nuk është e thënë domosdoshmërisht futbollist, do të më pëlqente sportist, por kryesorja është të ketë ato parime që thashë më lart.

Keni një trup shumë në formë, do t’ju pëlqente të ishit modele?

Nuk e kam menduar asnjëherë që të bëhem modele, edhe pse një eksperiencë e tillë nuk do të ishte keq tani që po e mendoj.

ridaÇfarë do ishte sot Erida nëse nuk do të ishte bërë futbolliste?

Duke qenë se kam ecur mjaft mirë me futbollin, t’ju them të drejtën, nuk e kam menduar asnjëherë se çfarë profesioni tjetër mund të ushtroja sot.

Kthehemi te futbolli, këtë herë te pasionet. Cili është idhulli juaj?

Idhulli im në futboll është portieri i Kombëtares gjermane, Manuel Nojer. Është një portier fantastik.

E ndiqni ekipin e Vllaznisë (meshkuj)?

Po, e ndjek shumë shpesh madje. Shkojmë gjithmonë në stadium bashkë me skuadrën time.

Çfarë problemesh ka ky ekip sipas jush?

Nuk di të them diçka të saktë, pasi janë probleme brenda klubit, por më dhëmb shpirti që shoh një ekip si Vllaznia të luftojë për mbijetesë. Shpresoj që të rikthehet sa më shpejt atje ku i takon, në majat e futbollit elitar.

Cilat janë objektivat tuaja për të ardhmen?

Si fillim dua të mbaroj me sukses studimet, pasi janë shumë të rëndësishme për jetën time. Për sa i përket karrierës futbollistike, dua të luaj sa më gjatë dhe të fitoj akoma më shumë trofe.