Erdin Hashani, eksperti për ngritjen e skuadrave në kategori

Vjosa nga Shtimja është kurorëzuar me titullin e kampionit në Ligën e Dytë. Kjo skuadër në ndeshjen e fundit të këtij edicioni shënoi fitore bindëse në duel me Minatorin, me rezultat 4:1, duke e mbyllur kampionatin në pozitën e parë, me 71 pikë, me 22 fitore, pesë barazime e vetëm një humbje, raporton FrontOnline.

Kësisoj, Vjosa nga edicioni i ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Parë, teksa së bashku me të inkuadrimin në një rang më të lartë të garave e ka siguruar edhe Rilindja 1974 nga Lugu i Baranit, e cila e ka mbyllur edicionin në pozitën e dytë, me 68 pikë.

Padyshim, “arkitekt” i gjithë këtij suksesi të skuadrës nga Shtimja ishte ish-futbollisti i mirënjohur dhe tani trajner, Erdin Hashani.

Në një bisedë me FrontOnline, Hashani e ka komentuar suksesin e skuadrës së tij, derisa ka falënderuar drejtuesit e klubit.

Image

“Natyrisht që asnjë sukses nuk është i lehtë, por kur të gjithë bëhen bashkë dhe kanë një qëllim atëherë çdo gjë është e arritshme. Po e them këtë pasi ka shumë faktorë për suksesin e Vjosës duke nisur nga kryetari i klubit, Avdi Sadiku, poashtu edhe nga sekretari i klubit, Shefki Dauti e gjithë anëtarët tjerë të kryesisë që nuk kanë kursyer asgjë për ta arritur këtë sukses. Dua të ceki se akterët kryesor të këtij suksesi janë futbollistët pasi pa ata nuk do të ishte e mundur kjo”, tha fillimisht Erdin Hashani duke vazhduar:

“Të gjithë e kanë dhënë maksimumin që ta arrijmë këtë qëllim me shumë mund dhe sakrificë duke mos kursyer asgjë nga vetja. Dhe në fund, normalisht se duhet falënderuar edhe stafin tim të trajnerëve që më kanë ndihmuar shumë sepse me ta gjithçka është më e lehtë. Dhe normalisht, duhet t’i falënderojmë edhe tifozët “Titanët” që kanë qenë në përkrahje të klubit në çdo ndeshje”.

Vjosa është inkuadruar për herë të parë në histori në Ligën e Parë dhe kjo nënkupton shumë për Hashanin.

“Historinë jo të gjithë mund ta shkruajmë dhe kësaj radhe jemi ne me fat që kemi shpallur Vjosën kampione pasi Vjosa asnjëherë nuk është shpallur kampione në mënyrë të tillë. Është një sukses shumë i madh sepse nga 28 ndeshje kemi 22 fitore, pesë barazime dhe vetëm një humbje. Kjo tregon se çfarë karakteri kanë pasur ata futbollistë dhe çfarë presioni kemi përballuar duke e ditur që kemi përfunduar kampionatin me 25 ndeshje rresht pa humbje e disomos karakterin e kanë treguar 11 fitoret rresht. Kjo është një gjë shumë e madhe për një klub dhe normalisht kjo është histori që do të mbetet gjatë te sportdashësit e klubit të Vjosës. Ky sukses nuk do koment”, theksoi ish-futbollisti i Dritës dhe shumë skuadrave tjera në Kosovë.

Image

Tutje, Hashani i ka cilësuar si tejet të vështira ndeshjet në Ligën e Dytë, teksa thotë se me organizimin që ka, klubi i Vjosës nuk e meriton të mbetet në këtë divizion garash.

“Garat janë shumë të vështira dhe mos të harrojmë se futboll luhet edhe në Ligën e Dytë, jo vetëm në Superligë apo në Ligën e Parë. Po, me këtë organizim që e ka klubi unë mendoj që ka qenë mëkat me qenë pjesë e Ligës së Dytë. Ky klub meriton shumë më shumë. Dhe mos të harrojmë se kemi pasur kundërshtar shumë të fortë siç ka qenë KEK-u që për mendimin tim ka qenë skuadra më favorite e Ligës së Dytë, poashtu edhe Shkëndija dhe ne kemi arritur me sukses t’i kalojmë këto dy skuadra. Kjo nënkupton se kemi pasur konkurrencë të madhe dhe në fund ia kemi dalur me shumë meritë të shpallemi kampion i Ligës së Dytë”, nënvizoi Erdin Hashani.

Këtë sukses historik, ai ia dedikon familjes së tij.

“Në këtë sukses kanë meritë shumë njerëz, sidomos ata që i kam afër në çdo moment. Por, mbi të gjitha ky sukses i dedikohet familjes sime sepse ata janë motivi kryesor dhe njerëzit që unë jam ky që jam sot, duke e ditur që gjithmonë i kam pasur afër si futbollist kur kam qenë, por edhe sot si trajner”, deklaroi ai.

Hashani pret që edhe në edicionin e ri të jetë te skuadra e Vjosës, derisa është optimist se do të jenë “befasia e vitit”.

“Besoj se do të vazhdoj me klubin prapë në Ligën e Parë sepse vullneti dhe dëshira është e dyanshme dhe pritet vetëm ditët në vazhdim gjërat të sqarohen dhe gjithçka të finalizohet. Sepse e di që me këtë grup lojtarësh do të jemi befasia e Ligës së Parë duke marrë parasysh cilësitë e këtyre futbollistëve”, tha mes të tjerash ish-mbrojtësi kosovar.

Për fund, Hashani ka synime të mëdha me Vjosën në Ligën e Parë, duke thënë se me këtë “kryesi korrekte”, nuk do të jetë problem arritja e qëllimeve.

“Synimet janë ende për t’u folur, por prapë po e them se ne kemi me qenë befasia e Ligës së Parë pasi me këtë organizim që e ka klubi dhe me këtë kryesi dhe me këtë kryetar që është shumë korrekt, nuk besoj se do ta kemi problem arritjen e qëllimeve”, përfundoi të mërkurën për FrontOnline Erdin Hashani.

Reagimi i Giresses pas deklaratës së Berishës shkaktoi të qeshura në konferencën e Kosovës

Askush nuk mund t’ia kalojë në Shqipëri, statistikat e Visar Bekaj me Tiranën janë thjesht mbresëlënëse!