“Ephedrine”, dopingu në futbollin kosovar

Futbollistë, trajnerë e doktorë hedhin dyshime të mëdha për përdorimin e substancave të ndaluara stimuluese në futbollin kosovar. Kriteri i rreptë i UEFA-s për luftën antidoping është thuajse i panjohur në vendin tonë.

Lufta e shumë skuadrave për titull të kampionit po e karakterizon kampionatin e sivjetmë. Madje, aq luftë e madhe po bëhet në Superligën e Kosovës, saqë duket të jetë mbjellë edhe njëfarë lloj “inati” në mes kandidatëve për titull, disa prej të cilave po bëjnë edhe zhurmë të madhe, duke mos kursyer as akuza ndaj njëri-tjetrit, posaçërisht ndaj gjyqtarëve, te të cilët vazhdimisht po ankohen se po dëmtohen në këtë luftë që i kanë hyrë.

Në këso situata sigurisht se rreziku është i madh që klubet të dalin nga kontrolli dhe titullin ta kërkojnë edhe nëpërmes mënyrave tjera, të ndaluara rreptësisht. Një mënyrë e tillë mund të jetë edhe përdorimi i substancave të ndaluara stimuluese nga ana e lojtarëve.

Gjithnjë është përmendur “Ephedrine”, si njëra prej substancave të ndaluara, e që është përdorur në të kaluarën në futbollin kosovar. Madje, ka pasur raste kur edhe publikisht ish-futbollistë kanë pranuar ta kenë përdorur atë lloj substance.

Ndërsa, askush nuk garanton se e njëjta substancë nuk përdoret sot. Përkundrazi, janë serioze dyshimet e përdorimit të substancave të tilla edhe sot.

“Sigurisht se ‘Ephedrine’ është përdorur si në kampionatet e kaluara, ashtu edhe në kampionatin që shkoi, dhe sigurisht se përdoret edhe në këtë kampionat”, thotë për “Zërin” futbollisti i njohur e me përvojë të madhe në futbollin kosovar, Arben Zhjeqi, i cili aktualisht është i lirë.

Ndërkohë, edhe trajneri i njohur, Fahredin Duraku, i cili deri para disa ditësh e udhëhoqi Trepçën ’89 thotë se ka dëgjuar për përdorimin e kësaj substance nga futbollistët. “Nuk kam pa, por kam dëgjuar shumë herë se filan ekipi, apo filan futbollistët kanë përdorur ‘Ephedrine’. Kjo substancë kryesisht përdoret nga futbollistët më të moshuar, të cilëve u mungon përgatitja fizike, dhe me përdorimin e saj, u rritet adrenalina”, deklaroi Duraku për “Zërin”.

Konfirmon doktori: Disa kosovarë përdorin doping

Në anën tjetër, edhe specialisti i mjekësisë sportive, Agron Rexhepi, ka vërejtur se sportistët në Kosovë, përfshirë edhe futbollistë, përdorin substanca stimuluese. Këtë konstatim Rexhepi e ka nxjerrë pasi njeh shumë nga ta, të cilët i ka kontrolluar sa punonte në Qendrën e Mjekësisë Sportive, ku futbollistët janë të obliguar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore para fillimit të çdo sezoni.

“Po, nga shenjat që i kam vërejtur te sportistët dhe nga biseda që kam bërë me sportistë mund të konkludoj se disa nga ta përdorin mjete dopinguese të llojit të steroideve (derivate të testosteronit)”, ka deklaruar për “Zërin” Rexhepi, i cili vazhdon të punojë me sportistë kosovarë në Qendrën për Sport, Fitness e Nutricion “Corpore Sano”.

Kosova kurrkund hiç me rregullin e UEFA-s kundër dopingut

UEFA e lufton me të madhe dopingun. Vendet anëtare të saj janë të obliguara ta përmbushin skajshmërisht kriterin antidoping, i cili thotë: “Stadiumi duhet të jetë i pajisur me një stacion të dedikuar për kontroll të dopingut. Stacioni i kontrollit të dopingut duhet të jetë afër zhveshtoreve të ekipeve dhe i paarritshëm për publikun dhe mediat. Ai duhet të jetë të paktën 20 metra katrorë dhe të përbëhet nga një dhomë pritjeje, dhomë testimi dhe tualet, të gjitha ngjitur. Dhoma e pritjes duhet të jetë pjesë, ose të jetë menjëherë ngjitur me dhomën e testimit. Ajo duhet të ketë ulëse të mjaftueshme për tetë persona, objekte ose dollapë për varje të rrobave, dhe një frigorifer. Dhoma e testimit duhet të ketë një tryezë, katër karrige, një lavaman me ujë, një kabinet me dry dhe një hapësirë tualeti. Hapësira e tualetit duhet të jetë brenda dhomës së testimit, ose menjëherë ngjitur me të dhe me qasje të drejtpërdrejtë private në dhomën e testimit. Ajo duhet të ketë një tualet për t’u ulur, një lavaman me ujë të rrjedhshëm dhe, nëse është e mundshme, një dush”.

Nëse merren parasysh rrethanat reale të stadiumeve dhe klubeve të Kosovës, del se vendi ynë nuk është kurrkund me përmbushjen e këtij kriteri, i cili ndryshe mund të quhet i “panjohur” për futbollin tonë.

Ky kriter asnjëherë nuk iu është vendos klubeve. Me këtë kriter vetëm tani pritet të njoftohen klubet nga ana e FFK-së, e cila e ka nis procesin e njoftimit të klubeve me kushtet e domosdoshme që duhet të përmbushin, të domosdoshme për të hyrë në UEFA. Kurse, deri sot këtë çështje as që e ka bërë llaf dikush.

Në FFK nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj teme. Por, trajneri Bekim Isufi thotë se shtëpia e futbollit duhet të ndërmarrë masa në luftën antidoping. “Nga viti tjetër ne po presim të garojmë për kualifikim në gara evropiane, kështu që është koha e fundit që duhet të bëjmë edhe kontrolle. Në çdo vend janë ato dhomat e antidopingut, ku bëhen kontrollet, dhe e njëjta duhet të praktikohet edhe te ne”, u shpreh Isufi, duke potencuar se edhe kontrollet mjekësore për futbollistë duhet të shpeshtohen.

Efektet e substancave stimuluese

Jo rastësisht UEFA, FIFA, dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare të sportit i kushtojnë rëndësi tepër të veçantë luftës antidoping. Përdorimi i substanca stimuluese mund t’u ndihmojë sportistëve vetëm në gara, por efektet anësore janë tepër negative dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre.

“Efektet e këtyre mjeteve janë të llojit anabolik (efekt i dëshiruar nga sportistët: rritje e performancave psiko-fizike) dhe efekti androgjen (efekti hormonal i këtyre preparateve: te femrat lajmërimi i karakteristikave seksuale mashkullore, te meshkujt steriliteti dhe impotenca, dëmtimet e mëlçisë, sistemit kardiovaskular, sistemit urogjenital, sistemit nervor, etj)”, shpjegon specialisti i mjekësisë sportive, Agron Rexhepi.

Andaj, trajneri i njohur i futbollit, Fahredin Duraku, thotë se nuk ia vlen të përdoren substancat e tilla të ndaluara për asnjë trofe e asnjë çmim. “Nuk është gjithçka fitorja. Fitorja nuk të duhet asgjë kur përdorë aso substanca që mund të shkaktojnë edhe infarkt te futbollistët. Fatkeqësisht te ne nuk po bëhen kontrollet antidoping që janë të domosdoshme”, u shpreh ai, duke kërkuar edhe nga trajnerët dhe klubet të jenë më të kujdesshme, derisa FFK-së i bënë thirrje për praktikum të kontrolleve.