Entuziazëm, pasion e atmosferë e zjarrtë – Vushtrria në krye me Dallkun ëndërrojnë rikthimin në Superligë

Vushtrria ka fituar derbin e xhiros së gjashtë në Grupin B të Ligës së Parë, pasi mposhtën Dinamon e Ferizajt me rezultat 2-0.

Urim Statovci dhe Daut Maxhuni ishin autorët e golave për skuadrën e drejtuar nga Armend Dallku.

Vushtrria ka bërë organizim fantastik këtë sezon pas disa viteve në krizë dhe me ta angazhuar Armend Dallkun dhe stafin e tij treguan se projekti është serioz dhe qëllimi është i qartë: Rikthimi në Superligë.

Me ardhjen e Dallkut është rikthyer edhe entuziazmi në ‘Ferki Aliu, me tifozët ‘Forca’ që kanë pasion të madh për Vushtrrinë dhe gjithmonë krijojnë atmosferë të shkëlqyeshme.

Edhe sot në derbi stadiumi ishte i stërmbushur, ku tifozët i dhanë një dorë të madhe skuadrës drejt fitores.

Është viti i pestë që Vushtrria po luan në Ligën e Parë dhe vushtrriasit duan t’i japin fund kësaj, pasi një klub i madh, me traditë meriton të jetë pjesë e Superligës.

Lehtë nuk do të jetë aspak, pasi kanë konkurrencë të fortë nga Prishtina e Re, që aktualisht është lider në Grupin B me 18 pikë, pesë më shumë se vushtrriasit.

Gjithsesi përvoja e madhe që Armend Dallku ka në skuadër mund t’i ndihmojë sidomos në fund të kampionatit kur ndeshjet bëhen edhe më të nxehta.

Direkt apo përmes barazhit, elita e futbollit kosovar ka nevojë për Vushtrrinë, për ‘Forcat’ dhe për atmosferën e zjarrtë që krijohet në ‘Ferki Aliu’. /Gazeta Olle/

Kampioni e nis me fitore sezonin e ri

Arsenali fiton me rezultat të thellë, debuton ylli shqiptar për Topçinjtë