Enrique nuk shqetësohet

Nga parajsa në tokë. Me fitoren e Realit të Madridit kundër Eibar dhe me barazimin 2-2 me Sevillan, Barcelona ka humbur terren të konsiderueshëm në garën për titullin. Avantazhi nuk është më 4 pikë, por vetëm 2 pikë, kur mbeten edhe 7 javë deri në përfundim të sezonit. Gjithsesi ka qetësi te blaugranat, me trajnerin Luis Enrique që përpiqet t’i mbajë të motivuar djemtë e tij.

“Nuk po ndodh asgjë. Vazhdojmë të kryesojmë ndaj jemi të qetë. Kurrë nuk kam qënë i mirë me përqindjet apo matematikën. Deri tani jemi liderë të kampionatit dhe duhet të kemi parasysh se sezonin e kaluar titulli u vendos në fund”.

Edhe Reali i Madridit do të luajë në Sánchez Pizjuán, por Enrique nuk preferon të flasë për të tjerët.

“Përqëndrohem te skuadra ime dhe te kalendari i Barçës. Për ne është më mirë kur rivalët tanë kanë ndeshje të komplikuara”.

Ishte mjaft evident ai reagim i Neymar, që me sa duket nuk e priti mirë zëvendësimin. Gjesti i tij u pa nga të gjithë, por numri një i stolit blaugrana i hedh ujë zjarrit të polemikave.

“Mua më intereson vetëm futbolli, rendimenti i lojtarëve dhe skuadrës sime. Kaq.”

Gjithsesi nuk është i këtij mendimi Jordi Mestre. Zëvendëspresidenti i Barçës tha se Enrique mund të ketë patur arsyet e tij për zëvendësimin e brazilianit, teksa nënvizoi se Neymar po luante mirë, duke shënuar madje edhe një gol kundër Sevillas.